LDK-ja e quan tendencë për kapje të shtetit “provën për protestë”

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka quajtur provën e djeshme për protesta të organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, si presion mbi gjykatat dhe demonstrim i tendencës për kapjen e shtetit.

LDK-ja përmes një komunikatë, “protestuesve” u është referuar si militantë të një partie, ndërkohë ka akuzuar Qeverinë, Policinë dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti për heshtje të martën.

VV-ja, të cilës i referohet LDK-ja, nuk ka njoftuar se qëndron pas kësaj prove për protestë, por as nuk ka reaguar, ndërkohë që ajo është postuar në grupin #me Kryeministrin në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

Sot ndërkohë kanë reaguar Policia dhe Ahmeti.

“Në ditët kur beteja me COVID-19 u sfidua me rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve dhe kur institucionet paralajmërojnë se mund të shtyhet lehtësimi i masave kufizuese, në sheshin kryesor të Prishtinës, të rrethuar me shirita policor, që janë vendosur për të mos lejuar lëvizjen e qytetarëve, Qeveria e shkarkuar e Kosovës, Policia e Kosovës, si dhe Komuna e Prishtinës, lejuan një manovrim skandaloz të një partie politike. Kjo provë e protestës së rreth 500 militantëve partiakë, të fshehur prapa organizatave të shoqërisë civile, përveç se është tregues i qartë i ndërhyrjes dhe presionit mbi gjykatat e pavarura të vendit, është demonstrim real i tendencës për kapjen e re të shtetit dhe të organeve kushtetuese të vendit”, thuhet në komunikatë.

LDK-ja ishte pjesë e Qeverisë Kurti, por inicioi mocion mosbesimi në Kuvend.

LDK-ja po mëton të formojë vetë Qeverinë.