Ekonomia britanike tkurrje rekord në mars- Transporti publik pret të humbasë 5 mld dollarë

Ekonomia e Britanisë u tkurr me 2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2019, sipas të dhënave të PBB-së të publikuara nga Zyra e Statistikave Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

“Shifrat tregojnë efektet e para të drejtpërdrejta të pandemisë së koronavirusit (COVID-19) dhe masave të qeverisë të marra për të zvogëluar transmetimin e tij,” tha zyra e Statistikave

Vetëm gjatë muajit mars prodhimi i brendshëm bruto i Mbretërisë së Bashkuar u tkurr me 5,8 për qind, rënia më e madhe mujore që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave në vitin 1997.

Reklama e sponzorizuar

Transporti në Londër pret që të humbasë afro 5 miliardë dollarë dhe i bën thirrje qeverisë që të ndërhyjë

Operatori i transportit për Londër(TFL) është në një situatë financiare “kritike” dhe duhet të arrijë një marrëveshje me qeverinë në 48 orët e ardhshme, tha të martën nënkryetarja e Bashkisë në Londër për Transportin, Heidi Alexander.

“Është e qartë se situata tani është kritike … dhe se nuk ka asnjë mënyrë të qëndrueshme përpara pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë,” tha Alexander.

Në Londër, udhëtimi me metro është zvogëluar me 95 për qind dhe udhëtimi me autobus me 85 për qind gjatë shpërthimit të koronavirusit. Më 24 Prill, organizata njoftoi se kishte pushuar nga puna 7 mijë persona, rreth 25% të forcës së saj të punës.  Kjo do ti kursejë transportit rreth 19,3 milionë dollar çdo katër javë.

Sidoqoftë, një dokument i TFL thotë se humbja e të ardhurave për vitin 2020 parashikohet të jetë mbi 4.9 miliardë dollarë, dhe hendeku i mbetur për të balancuar Buxhetin e tij të propozuar të Urgjencës për vitin 2020/21 është rreth 3.2 miliardë paund. TFL thotë se është në diskutime e sipër me qeverinë.

“Është e qartë se ndikimi afatgjatë i koronavirusit do të thotë që ne kemi nevojë për mbështetje financiare tani dhe në të ardhmen, në mënyrë që të mund të mbështesim rimëkëmbjen e Londrës dhe Britanisë së Madhe. Ne jemi në diskutime konstruktive me Qeverinë për mbështetjen e nevojshme financiare, dhe një përfundim i suksesshëm tani është jashtëzakonisht urgjent”, thuhet në deklaratë./CNN