Projektet që nuk i kishte në plan me VV-në, LDK-ja i fut në programin me AAK-në e Nismën

Programi qeverisës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive me të cilat synon ta formojë Qeverinë do të dallojë nga ai që ka pasur me ish-partnerin qeverisës, Lëvizjen Vetëvendosje.

LDK-ja me partnerët e rinj në planin qeverisës do të përfshijnë edhe projektet, për të cilat me Vetëvendosjen ishte pajtuar t`i anulonte, si ajo e Autostradës së Dukagjinit.

Diana Metushi-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se aktualisht nuk është koha për projekte të reja. Sipas saj, edhe pas tejkalimit të situatës me pandeminë, Qeveria do të duhej të fokusohej në krijimin e vendeve të reja të punës, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, Betim Musliu nga IKD përkundër se thotë që për arritjen e një koalicioni mund të bëhen edhe kompromise, ndryshimet në plan-program i sheh si mungesë e politikave të qëndrueshme.

Lidhur me arsyet dhe ndikimin e ndryshimit të planeve qeverisëse, KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga LDK-ja, por zyrtarë të saj nuk kanë pranuar të flasin. Njëjtë kanë vepruar edhe ata nga AAK-ja.

Përfshirja e Autostradës së Anamoravës dhe Dukagjinit e disa projekte të tjera infrastrukturore në buxhetin e Kosovës, ka qenë njëra nga kërkesat e AAK-së për të hyrë në koalicion me LDK-në.