Pakoja Emergjente 170 milionëshe e Qeverisë së Kosovës për koronavirusin, bizneset të pakënaqura

Qeveria e Kosovës, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Transfereve ka propozuar një paketë të masave emergjente, ku si hap i parë është adresimi i problemeve ekonomike të bizneseve dhe sektorit privat.
Shuma totale e kësaj pakoje është mbi 170 milionë euro, ndërsa Qeveria synon që ta mbulojë këtë shumë duke marrë kredi.

Më 30 mars, Qeveria e Kosovës, në drejtimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, miratoi vendimin për Pakon Emergjente Fiskale. Fokusi i parë i masave të saj janë përfituesit e skemave sociale. Përfituesve të skemave sociale që marrin më pak se 100 euro në muaj, në tre muajt e ardhshëm, do t’u ndahen nga 30 euro shtesë.

Bizneset private, të cilat e kanë ndërprerë apo kufizuar veprimtarinë e tyre ekonomike gjatë masave të Qeverisë kundër COVID-19 do të jenë përfitues të pakos emergjente. Padyshim që në front të parë të përpjekjeve për të kontrolluar përhapjen e COVID-19 dhe respektimin e masave të Qeverisë, kanë qenë stafi mjekësor, policia dhe zjarrfikësit.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Ministrisë, për këto kategori të nëpunësve publikë do të ndahet një shpërblim shtesë nga Qeveria, në shumën fikse prej 300 eurosh, për secilin nga dy muajt e ardhshëm.

Përkundër faktit që masat e Qeverisë nuk kanë qenë të plota për marketet, furrat dhe barnatoret, Qeveria ka paraparë shpërblim edhe për punëtorët e këtyre sektorëve.

Qeveria ka parashikuar ndihmë edhe për ato kompani që kanë ruajtur fuqinë punëtore gjatë kësaj krize dhe që fillojnë prodhimin e produkteve të reja apo që rrisin eksportet. Komunat dhe pushteti lokal gjithashtu do të jenë përfitues të pakos emergjente të Qeverisë. Pandemia COVID-19 ka vënë në pah edhe domosdoshmërinë e rritjes së prodhimit bujqësor.

Për të inkurajuar rritjen e kapaciteteve brenda vendit, Qeveria ka parashikuar të rrisë buxhetin për grante dhe subvencione në Ministrinë e Bujqësisë për 5 milionë euro.

Qeveria ka parashikuar një ndihmë të vogël edhe për sektorin e kulturës dhe të sportit. Masat e ndërmarra deri më tani, kanë ndikuar mjaft në këto aktivitete.

Kjo është pakoja e plotë emergjente që ka miratuar Qeveria e Kosovës:

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Qeveria në detyrë ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale, e cila parasheh masat si në vijim:

– Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit e skemave sociale për muajin Prill dhe Maj, masë kjo në vlerë deri në shtatë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë (7,650,000.00 €) euro, përfshirë këtu edhe pagesën e realizuar për muajin Mars;

– Pagesa shtesë në vlerë prej tridhjetë (30 €) euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ulët se njëqind (100 €) euro, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, me kusht që të jenë përfitues vetëm të një skeme; si dhe rikthim në listat e përfituesve për përfituesit që për shkak të mosparaqitjes apo mosvlerësimit në periudhën Janar – Mars 2020, nuk u janë rinovuar të drejtat e tyre. Kjo masë është në vlerë deri në trembëdhjetë milionë euro (13,000,000.00 €)

-Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare, si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, si në vijim:

Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej njëqind e shtatëdhjetë (170 €) euro, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo deri në dyzet e një milionë (41,000,000.00 €) euro; Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo në vlerë prej dymbëdhjetë milionë (12,000,000. 00€) euro; dhe Mbulimi i vlerës së kontributeve pensionale, për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim për muajin Prill dhe Maj, deri në vlerë prej tetë milionë (8,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare, për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, me qëllim të sigurimit të likuiditetit të përkohshëm të tyre, me kthim deri më 31.12.2020, në vlerë deri në njëzetë milionë (20,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi i mbështetjes shtesë financiare për Komunat e Republikës së Kosovës që janë ndikuar në përballje me pandeminë, në rast nevoje për shkak të zgjatjes eventuale të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300 €) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë – Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektoratit të Mjekësisë së Punës, për muajin Prill dhe Maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro;

– Pagesë shtesë në vlerë prej njëqind (100 €) euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive për majin Prill dhe Maj, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00 €) euro;

– Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës, për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në katër milionë (4,000,000.00 €) euro;

– Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, që janë goditur më rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milion (2,000,000.00 €) euro;

– Sigurimi i likuiditetit financiar për:

Mikrondërmarrjet dhe të vetëpunësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit për Garantimin Kreditor të Kosovës, në shumën dhjetë mijë (10,000 €) euro për periudhën 24 muajsh, në vlerë deri në pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro; dhe Shoqëritë Tregtare/Kompanitë e autorizuara që ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar në 1.4. të këtij vendimi.

-Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00 €) euro;

-Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shmangien e situatës së krijuar nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00 €) euro;

– Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë prej dhjetë milionë (10,000,000.00 €) euro;

– Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130 €) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00 €) euro; dhe

– Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga buxheti i Kosovës, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00 €) euro;

Me vendimin e aprovuar nga Qeveria në detyrë e Kosovë​s është autorizuar Ministria e Financave dhe Transfereve që të miratojë kriteret, afatet, kushtet, mënyrën e zbatimit, si dhe të gjitha specifikat tjera të nevojshme për zbatimin e tyre, sipas parimeve të menaxhimit të financave publike. Vendimi obligon gjithashtu të gjitha organizatat buxhetore/institucionet përkatëse për zbatimin e vendimit dhe të vendimeve që do të nxirren nga ministria për zbatimin e tij.

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave është duke punuar intensivisht në gjetjen e burimeve shtesë të financimit. Përveç alokimit fillestar të shumës prej 10 milionë eurosh, për Ministrinë e Shëndetësisë, është duke u negociuar edhe financim shtesë nga Banka Botërore (deri në masën e 70 milionë eurove). Po ashtu është dorëzuar kërkesa në FMN për kredimarrje nga instrumenti i shpejtë financiar, në masën 52 milionë euro; është kërkuar kredi në shumën e 35 milionë eurove nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Europës; është dërguar kërkesë zyrtare për mbështetje në Ministrinë Gjermane për Zhvillim e Bashkëpunim; dhe është premtuar mbështetje edhe nga Bashkimi Europian.

15 masat e parapara në Pakon Fiskale Emergjente:

Masa 1 – Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale (3 muaj);

Masa 2 – Pagesa shtesë prej 30 eurosh në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale nën 100 euro (3 muaj);

Masa 3 – Mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si rezultat i situatës emergjente, dhe atë:

(a) Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro (2 muaj)

(b) Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së qirasë për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme;

(c) Mbulim i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim.

Masa 4 – Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike (kthimi bëhet deri në fund të vitit 2020);

Masa 5 – Sigurimi i mbështetjes financiare për Komuna e Republikës së Kosovës (total prej 10 milionë euro);

Masa 6 – Sigurimi i shtesës mbi pagën në vlerë 300 euro për punonjësit e sektorëve esencialë, të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj rrezikut të infektimit (2 muaj);

Masa 7 – Pagesë shtesë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve (2 muaj);

Masa 8 – Pagesa e asistencës mujore prej 130 euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës emergjente (regjistrimi bëhet përmes ATK-së dhe kjo masë është për 2 muaj);

Masa 9 – Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikë e Kosovës, e të cilët janë goditur rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milionë (2,000,000.00 €) euro;

Masa 10 – Sigurimi i likuiditetit financiar për dy kategori:

(a) Mikrondërmarrjet dhe të vetëpunësuarit nëpërmjet programeve të caktuara të Fondit Kosovar për Garanci të Kredive, në shumën deri në dhjetë mijë (10, 000 €) euro për periudhën 2-vjeçare, në vlerë deri në pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro.

(b) Shoqëritë Tregtare/Kompanitë e autorizuara, të cilat ofrojnë shërbime bazike (të ngjashme me ato të ndërmarrjeve publike) me kthim deri më 31.12.2020, në kuadër të vlerës së përcaktuar të pikës 1.4 të vendimin për Pakon Fiskale Emergjente.

Masa 11 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për rritje të prodhimit bujqësor, në vlerë prej pesë milionë euro (5, 000,000.00 €) euro;

Masa 12 – Rritja e buxhetit për grante dhe subvencione për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për shmangien e situatës së krijuar nga gjendja e emergjencës së shëndetit publik në aktivitetet sportive dhe kulturore, në vlerë prej pesë milionë (5,000,000.00€) euro;

Masa 13 – Mbështetje për eksportuesit në Republikën e Kosovës pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10, 000,000.00€) euro;

Masa 14 – Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku një (1) vjeçare gjatë periudhës së situatës së emergjencës së shëndetit publik, nga njëqind e tridhjetë (130 €) euro për dy muajt pasues pas regjistrimit, në vlerë deri në gjashtë milionë (6,000,000.00€), euro;

Masa 15 – Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130€) euro për qytetarët me kushte të rënda sociale, të lajmëruar si të papunë në institucionin kompetent, e që nuk janë përfitues të asnjë të hyre mujore nga Buxheti i Kosovës, dhe kjo për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00€) euro. /Monitor.al/