OSHP: KEK-u anuloi tenderin 300 mijë euro për kritere që s’i kishte kërkuar

Mosspecifikimi në dosje të tenderit, se certifikatat për pompa dhe gypa, me të cilët ishte paraparë që të ndërtohej sistemi për kthim të ujit nga liqeni në deponinë e hirit në Mirash në termocentralin “Kosova B” duhet të jenë të prodhuesit të këtyre pajisjeve dhe jo të kompanisë konkurruese, ka bërë që një tender i KEK-ut të kthehet në rivlerësim.

Këtë vendim e ka marrë Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), i cili ka vlerësuar se gjatë kësaj procedure KEK-u ka shkelur nenin 62 të Ligjit të Prokurimit Publik, në të cilin është e përcaktuar procedura për përfundim të një aktiviteti të prokurimit, shkruan KOHA.

Vendimi në fjalë e ka obliguar KEK-un që të rivlerësojë këtë procedurë dhe të anulojë njoftimin për anulim të këtij aktiviteti të prokurimit. Vlera e paraparë për këtë tender është 300 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Këtë vendim OSHP-ja e ka marrë pasi që ka aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Diamanti SHP.K- Prishtinë”, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull “Ndërtimi i sistemit për kthim të ujit nga liqeni në deponinë e hirit në Mirash në termocentralin ‘Kosova B’ për trajtim”.