Mustafa: Osmani nuk po e respekton LDK-në, Kurti shkarkoi veten

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se nënkryetarja e partisë, Vjosa Osmani, duke mospërkrahur mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, nuk e ka respektuar partinë e saj.

“Vetë fakti që ajo ka dalë kundër mocionit të mosbesimit, për të cilin ka qenë shumica dërrmuese në LDK dhe ka dalë kundër formimit të Qeverisë së LDK-së në krye me njeriun e LDK-së, është mosrespekt ndaj LDK-së dhe organizatës së vet. Prandaj s’është vota që të jep fuqi që të mos ta respektosh partinë tënde. Por është vota që ta çosh përpara partinë tënde duke e respektuar”, ka thënë Mustafa në një intervistë për rtv21.

Për mundësinë e përfshirjes së Vjosa Osmanit në listën zgjedhore, ai u shpreh se do të diskutohen në momentin që të bëhet lista, meqë siç tha ai “sot s’merren fare me zonjën Osmani”

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, Mustafa ka thënë se nuk e ka shkarkuar partia e tij Albin Kurtin nga posti i kryeministrit, pasi, sipas tij, Kurti ka shkarkuar veten.

“Kurti e shkarkoi veten, sepse ne nuk e shkarkuam atë, sepse i keqësoi dhe i ashpërsoi deri në kufi të patolerueshëm relacionet me SHBA-në dhe kishim probleme edhe me relacionet me BE-në. Kishim probleme të mosmarrëveshjes së brendshme dhe shkelje të marrëveshjes për bashkëqeverisje mes VV dhe LDK-së. Dhe ai që është i pari në një koalicion qeverisës duhet të ketë kujdes për partnerin qeverisës dhe për politikat qeverisëse. Në qoftë se ai ka menduar të veprojë pa asnjë kontroll dhe asnjë marrëveshje ndaj ministrave tanë dhe mund të keqësojë relacionet me SHBA, që ne të kemi sanksione, ka gabuar”, ka thënë ai.