Thaçi: Në Samitin e Zagrebit kërkova urgjentisht nga BE-ja liberalizimin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti konferencë për media pas Samitit të djeshëm të Zagrebit.

“Dje u zhvilluan punimet e Samitit të Zagrebit të liderëve të BE-së dhe shteteve anëtare e gjithashtu të Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi, duke falënderuar kryeministrin kroat për organizimin e këtij samiti.

Shtoi se të gjithë liderët, pa dallim, kanë folur për rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër pandemisë, duke shprehur ngushëllime për viktimat nga Covid-19.

Reklama e sponzorizuar

“Falë institucioneve tona të shëndetit publik dhe mjekëve tanë, kemi numër të vogël viktimash. Fokusi mbetet në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve”, shtoi ai, duke theksuar edhe nevojën e ringjalljes së ekonomisë, raporton KOHA.

Thaçi më tej tha se përkundër pandemisë, Kosova mbetet i fokusuar në prioritetet e saj, në veçanti në funksionimin e institucioneve dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Prandaj ishte i mirëseardhur Samiti i Zagrebit nga ku prisnim rezultate konkrete. Kam theksuar si president se Kosova si shteti më pro-evropian meriton trajtim të shpejtë e më vendimmarrës nga BE-ja në veçanti sa i përket nevojës së liberalizimit. Kjo vonesë vetëm zbeh besimin e Kosovës. Kam bërë thirrje në deklarimin tim se shtetet anëtare të BE-së duhet të lëvizin përpara më shpejt në këtë çështje dhe me urgjencë. Kosova padrejtësisht po mbahet e izoluar, këtë e kuptojmë si ndëshkim të padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës sepse ne kemi përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme”, shtoi ai, duke thënë se ka kërkuar nga 5 vendet që s’e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë sa më shpejtë atë.

Çështja tjetër, tha Thaçi, që ai ka ngritur, ka qenë që BE-ja të përfshihet intensivisht në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kosova është që dialogu të vazhdojë e të arrihet marrëveshja me Serbinë, gjithashtu, duhet të jetë marrëveshje finale me njohje reciproke. BE-ja duhet të mos i shmanget zgjerimit të ndihmës së Ballkanit Perëndimor. Për Kosovën është jashtëzakonisht e rëndësishme qe të kemi një angazhim më konkret nga BE-ja gjithmonë duke u trajtuar si shtet i pavarur dhe sovran”, shtoi Thaçi.

Sa i përket deklaratave të Josep Borrell, i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi tha se “Kosova është vend i pavarur dhe sovran i njohur prej shumicës së vendeve të BE-së. Dialogu duhet të vazhdojë mes dy vendeve sovrane por këtë realitet nuk mund t’i ndryshojë askush. Unë nuk jam këtu që të komentoj deklarimet e këtij apo atij zyrtari”.