PDK-ja akuzon Qeverinë për abuzim e neglizhencë me arsimin

Myzafer Shala i PDK-së ka kritikuar Qeverinë në detyrë për, siç ka thënë ai, abuzimet që janë duke u bërë nga Ministria e Arsimit. Sipas PDK-së, qeveria në detyrë është treguar e vonuar, e paaftë dhe neglizhente në këtë fushë.

Në një konferencë për media, ish-ministri i Inovacionit ka thënë se Ministria e Arsimit ka bërë gabime dhe abuzime me programin mësimor për nxënësit parauniversitar gjatë periudhës së pandemisë.

“Së pari, është e turpshme që në mesin e orëve mësimore që transmetohen nëpër televizione janë përfshirë reklama me figurën politike të ministrit të shkarkuar të shëndetësisë, Arben Vitia. Është e pakuptueshme përse duhet që udhëzime specifike me zërin dhe figurën e Arben Vitisë që janë targetuar për të rritur, të transmetohen bashkë me programe që janë të dedikuara për audiencën e nxënësve të mitur. Kjo është një ngarkesë e panevojshme psikosociale për fëmijët tanë si dhe një abuzim i skajshëm i propagandës politike të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ai. “Së dyti, duam të denoncojmë Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, e cila po pretendon se është duke organizuar mësimin online përmes televizionit. Kjo është gënjeshtër, sepse në fakt ky që po organizohet nga qeveria e shkarkuar duhet quajtur mësim i njëanshëm, në distancë sepse mësimi përmes internetit është interaktiv. Mësimi interaktiv apo ndërveprues online i mundëson të gjithë nxënësve që të diskutojnë të bëjnë pyetje, të zhvillojnë ushtrime apo të marrin komente, sugjerime, detyra e vlerësime nga mësimdhënësi. Raporte e studime të shumta dëshmojnë se shtrirja e internetit në Kosovë përfshin 89% të popullsisë duke përfshirë këtu në mënyrë masive edhe zonat rurale”.

Reklama e sponzorizuar

“Pra Kosova i ka pasur të gjitha parakushtet që në këtë kohë pandemie të organizojë mësimi online, nëse qeveria në ikje e Kurtit do të ishte largpamëse e do të kishtë bërë përgatitjet e duhura”, ka thënë tutje Shala.

Sipas tij, “vendet tjera fqinje kanë përgatitur udhëzues për mësimin online shumë më herët, ndërsa Kosova e ka përgatitur udhëzimin ‘për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë’ vetëm në fund të javës së kaluar”.

“Pra 7 javë pas fillimit të pandemisë ne Kosovë. Kosova mjaftonte të ndiqte shembullin e Shqipërisë e cila e ka nxjerrë udhëzuesin e plotë për realizimin e programit lëndor dhe vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në kushtetet e shtëpisë më shumë se një muaj para Kosovës, në datën 21 mars. Në vendimin e vonuar të qeverisë sonë, të datës 24 Prill mes të tjerave është vendosur që nota përfundimtare e vitit shkollor 2019-20 nuk do të jetë më e ulët se ajo e datës 11 mars 2020. Bëhet fjalë për datën kur është ndërprerë mësimi i rregullt nëpër shkolla për shkak të pandemisë. Me këtë vendim, qeveria në ikje po i ikën testimit të nxënësve, për të mbuluar dështimin e vetë në organizimin e mësimit në kushte shtëpie gjatë pandemisë”, ka shtuar Shala.

Në fund, Shala ka thënë se vendimi që nota përfundimtare të jetë jo më e ulët se ajo e 11 marsit, është “akt i ulët e i papërgjegjshëm”.

“Kjo situatë, mua më kujton vitin 1999 kur unë kam qenë maturant, dhe nxënësit është dashur të ndërpresim mësimin në muajin shkurt për shkak të luftës. Asokohe, kur jemi rikthyer në Kosovë pas lufte, dhe u rifillua procesi mësimor, u morr vendimi që nota përfundimtare e atij viti të ishte ajo e shkurtit 1999 ngjashëm me vendimin aktual. Ky është një akt i ulët e i papërgjegjshëm që ka kosto të jashtëzakonshme për cilësinë e shkollimit dhe fyen të gjithë prindërit të cilën duan më të mirën për fëmijët e tyre”, ka përfunduar ai.