Pandemia e shtyn në recesion të papritur Malin e Zi

Pandemi e koronavirusit po e shtyn ekonominë e Malit të Zi në një recesion, vlerëson raporti i fundit i Bankës Botërore.

Raporti i Bankës Botërore diskuton ndikimin e krizës në ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas vlerësimeve, nëse Mali i Zi humbet një të tretën e të ardhurave të tij nga turizmi, rënia e ekonomisë në vitin 2020 do të jetë 5.6 për qind. Nëse gjysma e të ardhurave do të humbiste, recesioni mund të arrinte në nëntë për qind.

Reklama e sponzorizuar

“Kriza COVID-19 parashikohet të shtyjë ekonominë në recesion, kryesisht për shkak të rënies në sektorin e turizmit, i cili ka efekte në të gjithë sektorët”, tha Banka Botërore.

Ashpërsia e ndikimit do të varet nga kohëzgjatja e pandemisë dhe masave, në rajon dhe Evropë, për ta vënë nën kontroll.

Banka Botërore thotë se Mali i Zi po përballet me një krizë në një kohë kur ka një punësim të lartë, por edhe hapësirë të kufizuar fiskale, transmeton KosovaPress.

“Me gjithë përparimet e bëra vitet e fundit, borxhi i lartë publik kufizon masën në të cilën shteti mund të mbështesë familjet dhe bizneset. Përgjigjet afatshkurtra të politikës publike ndihmojnë në zbutjen e ndikimit ekonomik dhe shoqëror të krizës COVID-19. Megjithatë, ato pjesë të popullsisë që varen nga burime më informale të të ardhurave marrin shumë pak mbështetje”,thuhet në raport.