Emrat e propozuar për ministra nga AAK-ja të pranueshëm për LDK-në

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi, ka thënë se kanë mbajtur Këshillin e Përgjithshëm ku është votuar për vazhdimin e procedurave për formimin e Qeverisë së re.

“Sfidat që e presin Kosovën janë rimëkëmbia ekonomike, dialog, riparimi i marrëdhënieve me SHBA dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Besoj se shpejt do ta finalizojmë marrëveshjen. Kryetari Mustafa i është drejtuar me një letër partive tjera dhe përpos parimeve të përgjithshme që është biseduar është diskutuar edhe për profilin e ministrave që të jenë me kredibilitet dhe që s’kanë probleme me ligjin”, ka thënë Abrashi.

“Nuk kemi problem me emrat e propozuar nga AAK”, ka shtuar ai derisa është konfirmuar nga pyetja se besimin e AAK-së për të qenë pjesë e Qeverisë së re e kanë marrë, Besnik Tahiri, Meliza Haradinaj, Blerim Kuçi, Selim Selimi dhe Ramë Likaj.

Reklama e sponzorizuar

Abrashi ka thënë se sot kanë filluar negociatat me partitë tjera derisa ka thënë se nuk dihet se kush do të jenë ministrat e ri nga LDK.

“Besoj se ditëve në vijim do të thërrasim Kryesinë për të folur për emrat e ministrave. Synojmë të mbajmë 15 ministri, po bisedojmë për ndarjen e dikastereve”.