Shoqëria civile fton qytetarët t’i fikin dritat më 27 prill në shenjë solidarizimi për personat e pagjetur

Shoqëria civile u ka bëtë thirrje qytetarëve të Kosovës që më 27 prill, në orën 20:00, t’i fikin dritat për dy minuta në shenjë solidarizimi për personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, thuhet në një komunikatë, e firmosur nga Integra, Missing Persons Resource Center, YIHR, Humanitarian Law Center Kosovo dhe forum ZFD – Kosovo Program, të enjten.

Shoqëria civile, përmes kësaj nisme dëshiron që qytetarët të paktën për dy minuta të ndjejnë dhimbjen e familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“Që 20 vjet familjarët kërkojnë e shpresojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Që 20 vjet ata presin në ankth për të ditur të vërtetën por edhe për drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre. Që 20 vjet familjarët dhe shoqëria kosovare përballen me neglizhencë institucionale për zbardhjen e çështjes së personave të pagjetur. Prandaj, edhe në këtë ditë, si çdo ditë tjetër, ne nuk do t’i harrojmë. Do të vazhdojmë t’i kujtojmë personat e pagjetur, sepse ata janë pjesë e jona”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Reklama e sponzorizuar

Sipas komunikatës, shoqëria civile do të vazhdojë t’i kërkojë Qeverisë përgjegjësi ligjore dhe morale për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur, ndërsa shoqërisë kosovare përgjegjësi kolektive për të mos harruar asnjëherë.