MPJ-ja e kishte vetinterpretuar ligjshmërinë e hapjes së Konsullatës së “paprecedentë”

Kundërshtimeve të gjata për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Tiranë, Ministria e Punëve të Jashtme u kishte dhënë fund përmes një vetinterpretimi të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, pas të cilave kishte krijuar rrethanën për vendosjen e Konsullatës brenda të njëjtit objekt me Ambasadën.

Tani, Ministra e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nuk e ka përjashtuar mundësinë që ministri në detyrë, Glauk Konjufca, ta rishikojë vendimin për hapjen e kësaj konsullate, e cila është vlerësuar të jetë e paprecedentë për nga vendosja dhe funksionimi, shkruan KOHA.

Gazeta ka siguruar opinionin ligjor, mbi bazën e të cilit ishte hapur Konsullata, i hartuar nga departamenti për çështje ligjore i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai ishte nxjerrë në vitin 2017, kohën kur ende nuk ishte konstituuar qeveria e re, së cilës do t’i printe Ramush Haradinaj, pas zgjedhjeve të qershorit. Sipas atij interpretimi të MPJ-së, Konsullata dhe Ambasada mund të veprojnë brenda së njëjtës çati, me kushtin që zyrat t’i kenë ndaras.

Reklama e sponzorizuar

Me gjithë kritikat e njohësve të diplomacisë, MPJ-ja është thirrur në Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, si dhe legjislacionin në fuqi të Kosovës, duke thënë se “nuk e kufizojnë të drejtën e Konsullatës së Përgjithshme për të funksionuar në të njëjtën ndërtesë, ku është e vendosur edhe Ambasada”.