Kurtishaj: Rimëkëmbja e sektorit privat më e vështirë sesa pandemia

Kryetari i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Ruzhdi Kurtishaj, ka thënë se sektori privat është më i godituri në vendin tonë si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe sektori privat është më i godituri. Sigurisht, humbjet janë shumë të mëdha, dhe për të pasur një të dhënë më të saktë duhet të bëhen analizat pasi të merren informata për secilin sektor dhe mandej të dalim me të dhëna të sakta, duke marrë për bazë edhe të dhënat zyrtare që nxjerr Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)”, ka deklaruar Kurtishaj.

Kurtishaj në këtë intervistë për Gazetën Scanner, ka vlerësuar se pakoja emergjente e qeverisë është e pamjaftueshme për mbështetjen e sektorit privat.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, rimëkëmbja ekonomike e sektorit privat do të jetë më e vështirë se pandemia COVID-19

“Vetë fakti që në sektorin privat ka rreth 300 mijë punëtorë të punësuar dhe akoma të punësuarit në sektorin privat nuk kanë garanci për paga të dinjitetshme dhe jodiskriminuese në krahasim me të punësuarit në sektorin publik, është indikatori i parë i krizës dhe besoj që Kosovës i duhet një pako emergjente që në rend të parë përmes kësaj pako të arritët një ndihmë në aspektin social, por krahas kësaj na duhet një pako mbështetëse direkte e që do të jetë një infuzion për sektorin privat që të rimëkëmbet ekonomia”, ka thënë Kurtishaj.

Në këtë kontekst, Kurtishaj ka bërë me dije se Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me kohë i ka adresuar në qeveri masat të cilat duhet të ndërmerren për sektorin privat.

“Qeveria e Republikës së Kosovës të krijojë Fondin për mbështetje financiare – Pako stimuluese për sektorin privat”, është shprehur Kurtishaj.

Gazeta Scanner: Z. Kurtishaj, si janë duke funksionuar bizneset private në Kosovë, në këtë kohë pandemie? 

Kurtishaj: Kosova ka hyrë në një situatë mjaft serioze të luftës kundër Sars-Cov (COVID-19), ku për shkak të masave për parandalimin e Covid-19 me vendim të qeverisë, numër 01/07 të datës 11.03.2020 dhe vendimet tjera pasuese, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e tyre afariste, dhe këto biznese nuk mund të sigurojnë më të hyra për pagat e të punësuarve në sektorin privat edhe pjesa më e madhe e aktiviteteve ekonomike tashmë është ndërprerë. Pasojat ekonomike që mund të ndodhin në Kosovë si pasojë e koronavirusit janë të mëdha, duke pasur parasysh se Kosova përballet edhe me probleme ekonomiko-sociale dhe problemin e jo-stabilitetit ekonomik. Sot primare është ruajtja e shëndetit për qytetarët e vendit, por në të njëjtën kohë duhet të kemi veprime të menjëhershme, pra veprime urgjente për pako financiare mbështetëse për sektorin privat pas koronavirusit, sepse Kosova mund të futet në një pandemi ekonomike për shkak të problemeve të mëdha me të cilat po përballet. Andaj, Qeveria e Republikës  së Kosovës duhet ta kthejë kokën sa më parë kah ky sektor pasi që ky sektor edhe e mbushë arkën e shtetit dhe pa një përkrahje direkte nuk priten dite të mira në të ardhmen për sektorin privat.

Gazeta Scanner: Sa llogariten të jenë humbjet e bizneseve nga kjo situatë?

Kurtishaj: Ju po e shihni që Kosova nuk mund të anashkalohet nga pasojat e kësaj krize. Parashikimet e ekspertëve janë që nivelin global rritja ekonomike e paraparë prej 2.6 për qind do të jetë e pamundur për t’u realizuar dhe parashikimet që Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike mbi 4 për qind përsëri do të linte për të dëshiruar. Pra, do jetë e pamundur sepse edhe parashikimi i fundit nga Banka Botërore është -2.5 për qind. Në këtë drejtim, Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe sektori privat është më i godituri. Sigurisht, humbjet janë shumë të mëdha, dhe për të pasur një të dhënë më të saktë duhet të bëhen analizat pasi të merren informata për secilin sektor dhe mandej të dalim me të dhëna të sakta, duke marrë për bazë edhe të dhënat zyrtare që nxjerr Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Dihet që sektorët më të goditur janë: transporti, hoteleria, agjencitë e udhëtimit, pra me një fjalë turizmi, mandej gastronomia, baret, ndërtimtaria e prodhimi si sektorët që kanë të punësuar më së shumti, por kohëve të fundit edhe prodhimi për shkak të rënies së kërkesës për konsum në mungesë të likuiditetit dhe rënia e të hyrave nga ATK-ja dhe Doganat është një problem shtesë në ballafaqimin ekonomik me pasojat që do t’i lë koronavirusi.  Pra bëhet fjalë për qindra miliona euro që do të ketë humbje sektori privat.

Gazeta Scanner:  Si e vlerësoni Pakon Emergjente të miratuar nga qeveria për t’ju dalë në ndihmë bizneseve private? A mund t’i shpëtojë kjo pako bizneset në Kosovë?

Kurtishaj: Kjo pako financiare për të cilën tashmë Qeveria ka marrë vendim është e pamjaftueshme dhe e papranueshme për sektorin privat. Edhe ne kemi bërë kërkesat tona që iu kemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qëndrojmë prapa atyre kërkesave dhe tashmë opinioni i gjerë është i njoftuar përmes mediave për qëndrimin e anëtarëve të Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës.

Vetë fakti që në sektorin privat ka rreth 300 mijë punëtorë të punësuar dhe akoma të punësuarit në sektorin privat nuk kanë garanci për paga të dinjitetshme dhe jodiskriminuese në krahasim me të punësuarit në sektorin publik, është indikatori i parë i krizës dhe besoj që Kosovës i duhet një pako emergjente që në rend të parë përmes kësaj pako të arritët një ndihmë në aspektin social, por krahas kësaj na duhet një pako mbështetëse direkte e që do të jetë një infuzion për sektorin privat që të rimëkëmbet ekonomia. Andaj institucionet e Kosovës, ekspertët e grupeve parlamentare, komisionet përkatëse në Kuvendin e  Republikës së Kosovës, pozitë e opozitë të bashkohen dhe të gjejnë modalitete si t’i tejkalojnë këto pasoja, duke mbështetur sektorin privat për të mos u shkëputur zingjiri ekonomik dhe për të mos mbetur qindra mijëra punëtorë pa vende të punës dhe pastaj pas kalimit të pandemisë sektori privat prapë do të kontribuojë në mbushjen e arkës së shtetit.  Më mirë është të merren masat preventive duke marrë vendimet e nevojshme me kohë për të mbështetur sektorin privat, sesa në fund të merremi me pasojat për shkak të vendimeve jo të duhura e jo në kohën e duhur.

Gazeta Scanner: A i ka marrë parasysh qeveria e Kosovës kërkesat  Odës Ekonomike të Kosovës në raport me sektorin privat?

Kurtishaj: Oda Ekonomike e Kosovës është organizatë profesionale e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse. Është institucioni i vetëm i biznesit i themeluar me ligj në Republikën e Kosovës dhe veprimtaria e OEK-ut zhvillohet mbi bazën e këtij Ligji (Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës 2004/7) i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Oda Ekonomike e Kosovës është institucion në shërbim të ekonomisë Kosovare, partner konstruktiv i institucioneve shtetërore të Kosovës, partner në dialogun social si dhe promotor i zhvillimit ekonomik dhe politikave të mira makroekonomike. Në këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka marrë për bazë kërkesat e Odës Ekonomike të Kosovës duke u thirrur në atë se Qeveria ka konsultuar dhe ka marrë mbështetjen nga bizneset, disa përfaqësues të disa bizneseve,  kjo të paktën na është thënë në një takim më datën 31 mars 2020 që e kemi pasur me zëvendëskryeministrin e Kosovës në detyrë, z. Haki Abazi në njërën nga sallat e takimeve në ndërtesën e Qeverisë pas shkresës sonë që iu kemi drejtuar për herë të dytë, dhe po në atë takim na është thënë se vendimi për pakon financiare është marrë dhe nuk mund ta kthejmë atë vendim prapa si Qeveri e Republikës së Kosovës

Gazeta Scanner: Opozita e ka quajtur të pamjaftueshme këtë pako. Madje, PDK-ja ka propozuar një pako prej 320 milionë euro. Çfarë vlerësimi keni për këtë propozim i cili pritet të diskutohet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit më 14 prillit, e cila është ftuar nga partia më e madhe opozitare?

Kurtishaj: Ne e mbështesim çdo nismë të çdo institucioni që vjen qoftë nga pozita qoftë nga opozita qoftë faktorë vendorë apo ndërkombëtarë që i del në mbështetje kërkesave të anëtarëve të Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, pra që e mbështet sektorin privat.  Në këtë drejtim, me ftesën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Oda Ekonomike e Kosovës së bashku me Aleancën Kosovare të Biznesit, Odën e Afarizmit dhe disa shoqatave tjera kemi marrë pjesë në atë takim me kryetarin e PDK-së, z. Kadri Veseli dhe kemi shprehur qëndrimet e anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës për paketën financiare për sektorin privat, e sigurisht që do t’i përgjigjemi pozitivisht çdo ftese tjetër që vjen për Oden Ekonomike të Kosovës qoftë nga grupet parlamentare apo liderë të partive politike, për të siguruar përkrahjen për sektorin privat e për të mbështetur kërkesat e anëtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës.

Gazeta Scanner: Z. Kurtishaj, në këtë fazë çfarë masash tjera do të duhej të ndërmarrin institucionet e Kosovës në mënyrë që të shpëtohen bizneset private dhe ekonomia kosovare?

Kurtishaj: Të gjitha masat e nevojshme ne i kemi adresuar me kohë në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe mbetemi me qëndrime të njëjta për mbështetje të sektorit privat dhe kërkojmë të mos bëhet diskriminim mes të punësuarve në sektorin privat dhe publik, duke mos ndarë bizneset në të vogla, të mesme e të madha, e disa nga to janë:

•             Pagat e punëtorëve të sektorit privat të paguhen në bazë të listës së pagave të të punësuarve  të realizuara nga muaji paraprak pemës ATK-Trustit.

•             Të kompensohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës shpenzimet e qirasë së objekteve, zyrave, depove etj., të sektorit privat pa dallim biznes i vogël i mesëm apo i madh derisa të ndryshohet vendimi i Qeverise së Republikës së Kosovës për të filluar puna normale.

•             Të paguhet nga Qeveria e Republikës së Kosovës tatimi në fitim, për kuartalin e parë (TM1) dhe obligimet tjera tatimore për sektorin privat apo të prolongohen këto pagesa për një kohë, derisa të ndryshohet vendimi i Qeverise së Republikës së Kosovës për të filluar puna normale dhe deri sa sektori privat të fillojë të gjeneroj të hyra.

•             Qeveria e Republikës së Kosovës të krijojë Fondin për mbështetje financiare – Pako stimuluese për sektorin privat.

•             Të merret vendim nga ana e Qeverisë së Republikë së Kosovës për shtyrjen e afatit të raportimit financiar në Këshillin për raportim financiar të Republikës së Kosovës në afat prej 3 muajve.

•             Të prolongohen obligimet e kësteve të kredive për sektorin privat në afatin kohor prej 3 (tre) muajve, duke filluar nga data  1 Prill 2020 deri më datën 1 Korrik 2020, si dhe disa kërkesa tjera që ne i kemi adresuar te Qeveria.

•             Sektori i transportit e turizmit është një prej sektorëve me të dëmtuar, pra të lirohen nga pagesat operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve me rastin e vazhdimit të rendeve të udhëtimit në transportin nderurban nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit dhe të subvencionohet nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës regjistrimi i automjeteve transportuese për bartjen e udhëtarëve, mallrave, si dhe makineritë e pajisjet tjera të sektorit privat, duke pas parasysh amortizimin e madh të tyre për këtë periudhe kohore sa nuk janë duke punuar dhe mos shfrytëzimin e polices së sigurimit dhe taksave të cilat janë paguar me rastin e regjistrimit të tyre nga ana e sektorit privat kur akoma nuk kemi një datë të caktuar se kur do të fillojë puna, etj.