Modeli gjerman i kthimit të normalitetit

Si mund ta rifillosh një ekonomi që është mbyllur për shkak të pandemisë? Përgjigjja është: me kujdes tepër të madh.

Megjithëse virusi korona vazhdon të përhapet anembanë botës, qeveritë evropiane kanë filluar të mendojnë se si të rihapin fabrikat, zyrat e administratës dhe shkollat, njëherësh duke minimizuar mundësinë për shpërthime të reja rastesh me të infektuar.

Austria ka bërë të ditur të hënën se do të fillojë ngadalë të rihapë dyqanet pas Pashkëve, duke u bërë shteti i parë në Evropë që merr këto masa, raporton CNN.

Reklama e sponzorizuar

Presioni po rritet mbi qeveritë për të shpjeguar planet e tyre, për shkak të kostove në ngritje të masave të dizajnuara për frenimin e koronavirusit. Ka pasur drojë se rrjetet furnizuese të ushqimit dhe kujdesi shëndetësor mund të vihen në dyshim, nëse masat kufizuese do të mbahen gjatë në fuqi.

Përderisa mbylljet do të vazhdojnë të mbesin në fuqi për javë me radhë – dhe në disa shtete, edhe me muaj – planifikimi i hollësishëm mund të mbrojë tani qytetarët e cenueshëm dhe të ndihmojë ekonomitë të marrin hov menjëherë pas tërheqjes së masave shtrënguese. Përkeqësimi i gjendjes mund të shpjerë drejt shpërthimeve të reja, një seri të re masash për punën dhe jetën publike dhe shumë më shumë tkurrje ekonomike.

Plani i “ringjalljes”

Në Gjermani, ku njëqind mijë qytetarë kanë dalë pozitivë në testin për koronavirus dhe pothuajse 1.600 kanë vdekur, një grup ekonomistësh, avokatësh dhe ekspertësh të mjekësisë po rekomandojnë ringjallje të ngadalshme të ekonomisë më të madhe të Evropës që do të lejonte disa industri dhe punëtorë specifikë t’i kthehen punës, njëherësh të marrin masat për përhapje të mundshme të pandemisë.

Një mori akademikësh kanë shkruar në një raport, i cili është publikuar gjatë fundjavës prej Institutit për Kërkime Ekonomike, Ifo, se nuk presin që vaksina ose trajtimi efikas për koronavirusin të jetë në dispozicion para vitit 2021. Rrjedhimisht, Gjermania duhet t’i qaset luftës kundër sëmundjes më shumë “si maratonë sesi sprint”. “Masat e ardhshme duhet të dizajnohen dhe të përgatiten në atë mënyrë që, në njërën anë, të sigurojnë kujdes të mirë shëndetësor, dhe në anën tjetër, që të mund të frenohen gjatë periudhave të domosdoshme kohore”, shkruajnë ekspertët. “Planifikimi për këtë transicion duhet të fillojë menjëherë në politikë, administratë dhe kompani e organizata të tjera”.