Kosova rrezikon t’i humbë 6 milionë euro në arbitrazh ndërkombëtar për “Grand”-in

Kosova rrezikon t’i humbë 6 milionë euro, për shkak të kontestit rreth shitjes së “Hotelit Grand”, që ishte iniciuar nga kompania “Mabco Constructions SA”, me seli në Zvicër, aksionar i së cilës është Behgjet Pacolli.

Burime të Periskopit thonë se procesi i vendimmarrjes rreth këtij rasti, që ishte iniciuar në vitin 2017, është në prag të epilogut dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të përfundojë në dëm të interesit publik shtetëror dhe në favor të liderit të AKR-së.

Arsye për këtë, siç pohohet, është edhe neglizhenca e treguar nga Ministria e Drejtësisë  dhe një sabotim që po i bëhet punës së ekipit të angazhuar për përfaqësimin e shtetit të Kosovës në këtë arbitrazh ndërkombëtar.

Reklama e sponzorizuar

Një gjë e tillë ngreh dyshime të përfshirjes së politikës në këtë proces. Kompania “Mabco Constructions SA” pati paditur Qeverinë e Kosovës lidhur me rastin e “Hotelit Grand”, të cilin Behgjet Pacolli e kishte blerë, por më pas i ishte anuluar privatizimi.

Pacolli është shprehur se Mabetex kërkon vetëm kthimin e mjeteve të veta, sipas të cilit, ato i janë rrëmbyer padrejtësisht.