Bordi i Përkohshëm i KRUP-it publikon vendimet e para, liron nga detyra zyrtarë të lartë

Përmes një kumtese për media, Bordi i Përkohshëm i KRUP, me anëtarët e rinj Mentor Hyseni, kryesues dhe drejtor; Hajrie Morina, drejtore; Seat Bilbani, drejtor; dhe Idriz Maliqi, drejtor, kanë njoftuar për vendimet e para.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” në mbledhjen e parë të jashtëzakonshme, të mbajtur më datë 7 Prill 2020, e martë ka trajtuar me kujdes çështje të ndryshme që ndërlidhen me veprimtaritë dhe performancën e përgjithshme të ndërmarrjes”, thuhet në njoftimin e KRUP.

Bordi i Përkohshëm në KRUP, thotë se pas pranimit dhe trajtimeve të materialeve dhe Raporteve të ZKA-së dhe raporteve të Zyrës së Auditorit të Brendshëm dhe në përputhje të plotë me Ligjin për Ndërmarrje Publike (LNP), ka marrë masa ndaj disa zyrtarëve të lartë të cilët nuk kanë qenë në nivel të detyrës dhe si rrjedhojë i kanë shkaktuar performancë jo të mirë Kompanisë, andaj BD i përkohshëm duke u mbështetë në kompetenca të tyre që ju jep LNP në mbledhjen e parë të jashtëzakonshme mori disa vendime siç janë:

Reklama e sponzorizuar

1.Ndërprerë Kontratën e Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit,

2.Ndërprerë Kontratën Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv (zëvendës kryetarit)

3.Lirohet nga detyra Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv,

4.Janë caktuar ushtruesit e detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit,

5.Të shpallet konkursi për rekrutimin e pozitës së Kryeshefit Ekzekutiv, dhe Zyrtarit Kryesor Financiar dhe të Thesarit, kurse për pozitën e Zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv mbetet që Bordi i Drejtorëve të shqyrtoj edhe njëherë nevojën për të pasur një pozitë të tillë në Ndërmarrje.

6.T’u bëhet ftesë shoqërisë civile dhe Ambasadës Angleze që të marrin pjesë në procesin e rekrutimit të këtyre pozitave për të siguruar një profesionalizëm dhe transparencë të plotë të këtij procesi.

“Bordi i Përkohshëm do të vazhdojë që të trajtoj me kujdes të shtuar funksionet vitale të kompanisë për t’u siguruar që të ketë një furnizim të rregullt dhe të sigurt për qytetarët dhe të përmirësojë përformancën e saj”, thuhet në njoftimin e KRUP.