Qeveria: MSH-ja është plotësisht e përfshirë në situatën emergjente në veri

Qeveria e Kosovës në detyrë ka thënë se Ministria e Shëndetësisë është e përfshirë plotësisht në situatën emergjente në komunën e Mitrovicës Veriore dhe në Zveçan.

Këtë e ka thënë për KOHA-n zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e përfshirë në situatën e emergjente të shëndetit publik në komunën e Mitrovicës Veriore dhe Zveçan. Ministri Vitia është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me kryetarët dhe autoritetet përgjegjëse në këto komuna”, ka thënë Kryeziu.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se po ballafaqohemi me një krizë shëndetësore për çka të gjitha institucionet e përfshira janë në koordinim të ngushtë që ta tejkalojmë ketë krizë sa më parë që është e mundur dhe sa më pak dëme.

“Ky virus nuk njeh racë e as nacionalitet prandaj trajtimi i tij mbi këtë bazë konsiderojmë se as nuk është i mundur e as nuk duhet të bëhet. Qeveria vazhdon të jetë e përkushtuar në implementimin e të gjitha masave të marra ndaj Covid-19. Këto masa kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit të të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kryeziu.

Policia e Kosovës dhe Karabinierët e Italisë sot janë vendosur tek ura e Ibrit në Mitrovicë, duke mos lejuar qytetarët të dalin në pjesën veriore, raporton KOHA.

Kjo për shkak se Mitrovica e Veriut, me vendim të Shtabeve të Krizave, është në karantinë, për shkak të situatës me koronavirus.