Kurti: Mora vesh se transkripti i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tash nuk ekziston, kapja e shtetit po vazhdon

Kryeministri Albin Kurti, ka treguar se gjatë mbledhjes së seancës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së tij, i ka ardhur njoftimi se transkripti i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i mbajtur më 17 mars, nuk ekziston më.

Ai këtë e ka quajtur vazhdimësi të kapjes së shtetit.

“Më 17 mars u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë, tash po më njoftojnë se hard-disku nuk e paska regjistruar fare transkriptin. Pse po ndodh kjo? Kjo po ndodh se Kosova vazhdon të jetë shtet i kapur, ka ndryshuar Qeveria, por jo Prokuroria, Gjyqësori etj”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Më herët gjatë seancës, Kurti tha se më 17 mars pati tentim-puç, duke iu referuar iniciativës së presidentit Hashim Thaçi për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së koronavirusit.

“Sot jam i lumtur që nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, para një jave ka pasur tentim-puç në Kosovë. Do të dalin të gjitha transkriptet për këtë nga Këshilli i Sigurisë”, tha Kurti më herët.