Thaçi nuk e kërkon gjendjen e jashtëzakonshme, thotë se gjendja me COVID-19 po menaxhohet

Presidenti i Kosovës,  Hashim Thaçi ka deklaruar se IKSHP-ja, policia e FSK’ja janë duke menaxhuar mirë situatën në lidhje me koronavirusin. Ai thotë se tashmë, rolin kryesor e kanë qytetarët, raporton Gazeta Express.

Përmes një shkrimi të bërë në Facebook, i pari i shtetit thotë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e menaxhuar gjendjen dhe kufizuar përhapjen e virusit COVID-19.

Ai shton se policia është duke e kryer me përpikëri punën e vet dhe duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike, e se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara nga virusi COVID-19.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Thaçit, tashmë rolin kryesor e kanë qytetarët.

“Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten. Si shtet jemi të përgatitur dhe po punojmë të gjithë së bashku që t’i shtojmë kapacitetet mjekësore, ta ruajmë furnizimin me ushqime dhe materiale sanitare, të ndërmarrim masa dhe t’i ruajmë punëtorët dhe bizneset, të cilat duhet të ndihmohen me politika lehtësuese në muajt e ardhshëm”, ka deklaruar ai.

Presidenti i vendit nuk e ka përmendur situatën e jashtëzakonshme që e kishte propozuar ditë më parë.