Abbott: Esenciale që manovrimet politike të zhvillohen sipas Kushtetutës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shprehur kundërshtimin e tij rreth vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme, gjatë takimit me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott.

Kurti e ka përsëritur se nuk ka nevojë për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme dhe se thirrja e presidentit Hashim Thaçi është e pabazuar. Kjo, pasi që situata është stabile dhe nën kontroll.

Nga ana e tij, ambasadori Abbott tha se në këtë situatë të emergjencës së shëndetit publik është esenciale që veprimet politike të institucioneve shtetërore të qeverisen sipas Kushtetutës së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Ai bëri thirrje që të gjitha palët duhet të sigurohen që diskutimet dhe negociatat e tyre të zhvillohen në mënyrë që t’i sigurojnë të gjitha komunitetet në Kosovë, pa shkaktuar brengosje të shtuara që ndihen nga të gjithë në këto kohë të vështira.

Diplomati britanik siguroi kryeministrin Kurti për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për pavarësinë dhe stabilitetin në Kosovë.