Ndalohet për dy javë trajtimi i të sëmurëve me kancer

Klinika e Onkologjisë për dy javët e ardhshme nuk do t’ë trajtojë të sëmurët me kancer. Kjo për shkak të rrezikut nga koronavirusi. Sipas drejtorit të kësaj klinike, Ilir Kurtishi, kjo është në të mirë të pacientëve, sepse ka thënë se terapitë kundër kancerit e dëmtojnë sistemin imunitar të pacientëve dhe prekja eventuale e tyre me koronavirus do të ishte shumë e rrezikshme.

Ai ka theksuar se Klinika do të pranojë vetëm rastet emergjente. Përveç ndalimit të trajtimit, ditëve të fundit në këtë klinikë ka pasur edhe mungesë të disa llojeve të citostatikëve. Kurtishi ka thënë se janë duke punuar që furnizimi të jetë i plotë, në momentin kur do të nisin sërish me trajtimin, raporton KOHA.

“Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka marrë vendim që për dy javët e ardhshme, për shkak të koronavirusit të ndërpritet puna në Onkologji”, është shprehur Kurtishi. Ai ka thënë se do t’i trajtojnë vetëm rastet emergjente. “Tani e kemi ndalur punën, do t’i trajtojmë vetëm rastet emergjente, tek ne rastet emergjente i kemi vetëm ato që kanë nevojë për ndonjë dozë gjak, sepse shumica e rasteve janë ambulantore”, është shprehur Kurtishi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, ndalimi i trajtimit të këtyre pacientëve është në të mirë të tyre.

“Kimioterapia ndikon jashtëzakonisht shumë në dobësimin e sistemit imunitar të pacientëve të sëmurë më kancer, në rast se pacientët e kësaj kategorie do të infektohen me virusin e ri Covid 19, atëherë ata do ta kenë vështirë të përballueshme, prandaj e kemi ndaluar shërbimin, për çështje sigurie, kjo është në të mirë të pacientëve”, është shprehur ai.