Vetëvendosje: Në Prishtinë të gjitha hallkat e funksionimit kanë dështuar

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka kritikuar kryetarin Shpend Ahmeti për mospunë në përmbushjen premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore.

Në një konferencë për media, Yll Rugova nga kjo parti ka thënë se është shqetësuese përmbushja e vetëm 18 nga 100 premtime të dhëna.

“Prishtina është në stagnim total, pa parkingje, pa unazën e brendshme, pa shkolla e çerdhe të reja. Madje as policia e qytetit nuk është themeluar. Kjo nëpërkëmbje do të na kushtojë të gjithëve. Në Prishtinë të gjitha hallkat e funksionimit kanë dështuar”, ka thënë Rugova.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa këshilltarja komunale e VV-së, Leonora Shabani – Bajraktari, ka akuzuar komunën se ka lënë prapa fëmijët duke mos u siguruar arsim cilësor.

“Komunës i duhen urgjentisht katër shkolla. Ndërtimi i shkollave të premtuara në lagjen ‘Mati 1’, ‘Kalabri’, ‘Sofali’ dhe ‘Vetërnik’ ende mbesin premtime në letër. Prishtinës i duhen çerdhe te reja, nuk mjaftojnë këto tri që kanë filluar në mandatin e parë. Çka ndodhi me premtimin e çerdhes në Bardhosh dhe Kolovicë. ”, ka deklaruar Shabani – Bajraktari.

Së fundmi, kryetari Shpend Ahmeti ka deklaruar për emisionin 038 të KTV-së se po punojnë që brenda pjesës së mbetur të mandatit t’i realizojnë të gjitha premtimet e dhëna.