Vitia thotë se kanë kërkuar 400 mijë euro nga Qeveria për të luftuar koronavirusin

Ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia ka deklaruar se në Kosovë akoma nuk është identifikuar dhe diagnosifikuar asnjë rast me koronavirusi.

I pari i shëndetësisë në raportimin që po bën sot në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, theksoi se gjitha institucionet relevante shëndetësore janë mobilizuar me kapacitetet profesionale dhe teknike.

Derisa tregoi se janë përgatitur edhe reparte të veçanta në Klinikën Infektive në rast se paraqitet ndonjë rast, kurse karantina sipas tij ende nuk është e nevojshme.

Reklama e sponzorizuar

Në rastin e kundërt, tha si mundësi është Parku Inovativ në Prizren.

Ministri Vitia tha se në të gjitha pikat kufitare dhe aeroport tashmë gjenden ekipet shëndetësore.

Në këtë raportim, ministri ka marrë me veti edhe drejtorët e SHSKUK, IKSHP dhe Klinikës Infektive.

Ndërsa, kryesuesja e komisionit, Albena Rashitaj, tha se është përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve për të parandaluar këtë virus.

“Nuk është koha për panik, por është koha për veprime. Vendi ynë duhet të marrë masa të jashtëzakonshme për të parandaluar”, tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kanë kërkuar nga qeveria 400 mijë euro shtesë për të luftuar Coronavirusin.

“Sfida shumica e depove kanë deklaruar se s’kanë stoqe për gjerat e kërkuara. Kemi kërkuar fond shtesë nga 400 mijë euro. Sot pritet me u aprovua nga qeveria. Presim përkrahje nga të gjithë”, tha ai.

Haxhi Avdyli, nënkryetar i Komisionit tha se situata është stabile dhe se s’ka nevojë për panik, por ka nevojë për vigjilencë.

“Stafi të jetë sa më i mbrojtur. Ne do jemi bashkëpunues si komision. Besoj që s’ka vend për panik. Tani për tani ka ardhur afër nesh në Maqedoni”, tha ai.

Uran Ismaili, ish-ministër i shëndetësisë dhe anëtar i komisionit, paraqiti disa kërkesa të cilat duhet të merren parasysh për të mbrojtur fillimisht punëtorët shëndetësorë nga koronavirusi.

Bekim Haxhiu tha se Kosova është më e rrezikuar nga gripi sezonal sesa nga koronavirusi.

Ai kërkoi të ketë një kujdes më të shtuar në pikat 1 dhe 31.

Mirlinda Sopi, anëtare e komisionit nga AAK kërkoi që të ketë masa shtesë në pikat kufitare./eo/