FSSHK i shkruan Kurtit: Mos harroni Ligjin e pagave!

92

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës me një letër publike iu ka drejtuar kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që duke planifikuar projektligjin për buxhetin e vitit 2020 të mos e harrojnë ligjin e pagave, implementimin e të cilit më të drejtë e presin mijëra të punësuar në sektorin publik e mes tyre edhe ata në sektorin të shëndetësisë.

Sipas kësaj federate, ngatërrimet që ishin bërë pa qëllim mes Ligjit për zyrtarët publik dhe atij të Pagave te lajmi lidhur për zgjatjen e masës së pezullimit nga Kushtetuesja kanë krijuar tensione shtesë tek të gjithë anëtarësia e FSSHK-së.

“Tensionet janë shtuar edhe më tepër nga lajmi i shpërndarë, që urojmë të mos jetë i saktë, se Ministria e Financave duke përgatitur Projektligjin e buxhetit për vitin 2020 nuk do të planifikojë fare mjete për implementimin e Ligjit të pagave. Nëse Ministria për Financa nuk bën planifikime buxhetore për Ligjin e pagave dhe Qeveria përkrah një ide të tillë, atëherë në tërë sistemin shëndetësor do të përsëritej situata e fundit e dhjetorit të vitit të kaluar, gjegjësisht bazuar në kërkesat e anëtarësisë do të ketë veprime sindikale në nivel vendi në të gjitha Institucionet Shëndetësore primare, sekondare dhe tërciare. FSSHK-së ju drejtohet Kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që duke planifikuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2020 të mos e harrojnë Ligjin e pagave, implementimin e të cilit më të drejtë e presin mijëra të punësuar në sektorin publik e mes tyre edhe ata në sektorin të shëndetësisë. Mijëra anëtarë të FSSHK-së besojnë fuqishëm se Kushtetuesja do të jep ndonjë vërejtje, por Ligji i pagave do të nis së zbatuari dhe pastaj Parlamenti do të bëj përmirësimet, kërkojmë nga Ministria për Financa që të bëjë planifikime buxhetore për Ligjin e pagave dhe Qeveria të përkrahë një ide të tillë”, thuhet në letrën publike.

FSSHK-ë do të jetë gjithmonë e në çdo kohë e gatshme të zhvillojë dialogun social për interesa të anëtarësisë së vet me institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.