Më shumë se 800 ankesa të nëpunësve civilë, pa përgjigje

Ka arritur në 811 numri i ankesave të shërbyesve civilë që i janë drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMShC), që nga janari i vitit të kaluar kur ai është jofunksional.

Që të gjitha ankesat ende janë pa përgjigje e për mënyrën e trajtimit të tyre pritet të vendosin anëtarët e rinj të këtij këshilli, të cilët pritet të zgjidhen nga kjo legjislaturë. Kjo pasi që në legjislaturën e kaluar, Kuvendi edhe pse ishte njoftuar me kohë për skadimin e mandatit të katër anëtarëve, nuk kishte arritur që t’i përzgjidhte anëtarët e rinj, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pasojat e mosfunksionimit të KPMShC-së, sipas përfaqësuesve të tij dhe atyre të shërbyesve civilë, janë të pariparueshme. Ndërkohë në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se janë në procedurë të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj.

Reklama e sponzorizuar

“Referuar pyetjes suaj, ju njoftojmë se ky proces është në procedurë”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për medie të Kuvendit të Kosovës.

Legjislatura e kaluar ka zhvilluar disa procedura sa i përket përzgjedhjes së anëtarëve të këtij këshilli, mirëpo votimi i kandidatëve të përzgjedhur në procedura konkurruese nuk ka ndodhur.