Koronavirusi në Ballkan, raste në Serbi, Kroaci, Maqedoni e Greqi

Vendet ballkanike po përforcojnë masat mbrojtëse nga koronavirusi i ri, i cili ka mbërritur tashmë në rajon.

Një i ri i kthyer nga Milano ishte rasti i parë i prekur nga Covid-19 në Kroaci. Ndërkohë, gjatë natës edhe nëntë kroatë të tjerë të cilët kanë punuar në një fabrikë në Itali ku 20 persona rezultojnë të infektuar, u shtruan në një spital të Rijekës, e janë vendosur në izolim, sepse mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.

Autoritetet kroate këmbëngulin megjithatë se sistemi i tyre shëndetësor është i përgatitur për sëmundjen, por frika mes njerëzve është e madhe.

Reklama e sponzorizuar

Dy qytetarë serbë që ndodheshin në anijen Diamond Princess, e cila është futur në karantinë në Yokohoma të Japonisë që prej 3 shkurtit, janë konfirmuar si të prekur nga koronavirusi, shkruajnë mediat shqiptare.

Që të dy serbët e moshave 29 dhe 30 vjeç, janë anëtarë ekuipazhi të anijes ku ndodhen edhe 9 serbë të tjerë, tre nga të cilët kanë zbritur prej saj javën e kaluar.

Ministri serb i Shëndetësisë Zlatibor Loncar deklaroi se është realiste të pritet se koronavirusi do të shfaqet dhe brenda kufijve të Serbisë, por këmbëngul se i kanë marrë masat, përcjell albinfo.ch.

Si Kroacia, ashtu edhe Serbia i kanë forcuar kontrollet në aeroporte dhe pika kufitare, duke u fokusuar sidomos tek pasagjerët që vijnë nga Italia e Kina.

Ata i kanë këshilluar të gjithë qytetarët e tyre të mos udhëtojnë drejt veriut të Italisë. Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi kanë lëshuar paralajmërime të ngjashme. Nëse njerëzve u duhet të lëvizin në këto zona, atëherë kur të kthehen, do të vendosen nën vëzhgim, deklaroi drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Podgoricë, Boban Mugosa.

Në Maqedoninë e Veriut është konfirmuar zyrtarisht një rast, ashtu si edhe në Greqi, kurse raste të dyshuara ka pasur edhe në Kosovë e Shqipëri, por që përgjigjet kishin dal negative.