Politikanët dënojnë sulmin me vezë ndaj Hotit

Politikanë kosovarë kanë dënuar sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka reaguar ndaj sulmit me vezë që u bë sot ndaj zëvendësministrit Avdullah Hoti.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se sulmi ndaj Hotit është akt qyqar, duke shtuar se ka pasur për qëllim pengimin e proceseve pozitive në vend.

Reklama e sponzorizuar

Veliu ka shtuar se aktet e tilla janë të papranueshme dhe të patolerueshme.

“Shprehja e mospajtimit dhe pakënaqësisë për çfarëdo procesi, duhet të bëhet përmes mjeteve demokratike dhe rrugës institucionale”, ka shkruar ai.

Ndërkaq ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, ka shkruar se sulmi ndaj Hotit është i trishtë, si mjet, si formë e si arsye.

“Shteti, era shtet si akt e si koncept i tremb. Pa pushtet e me gjithë reformat që pritet të vijnë rend bëhen edhe më agresiv. Sulmi ndaj Zv.Kryeministrit Hoti është i trishtë – si mjet, si formë, si arsye. Argumentet s’mund të zëvendësohen me sharje e dhunë – me terma “tradhtarë e shpihunë”! Është viti 2020. Përpjekjet agresive për të ndaluar kthimin e Republikës në rrugë të mbarë e për të na izoluar e dërguar të gjithëve në theqafje – duhen të dënohen nga secili me minimalisht dinjitet”, ka shkruar ai.

Ndërkaq ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shkruar se sulmi me vezë ndaj Zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti është veprim i ulët i njerëzve që keqpërdorin të rinjtë për të atakuar një përfaqësues të qeverisë legjitime, një intelektual dhe profesor universitar.

“Mendësia e vezëve nuk e mbron dhe nuk e përparon shtetin, por e dëmton seriozisht”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë se sulmuesit duhet të dënohen, ndërkaq partneriteti me SHBA-në do të thellohet

“E dënoj sulmin ndaj Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti. Drejtësia duhet të veprojë menjëherë që sulmuesit të përgjigjen para drejtësisë dhe të mos lejohet degradimi i hapësirës publike siç ka ndodhur në të kaluarën. Raporti Kosovë-SHBA është i shenjtë dhe asnjë sulm nuk mund ta luhatë partneritetin me amerikanët. Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq lidhur me sulmin ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai në Twitter ka pyetur se e zgjodhën Avdullah Hotin si target më të lehtë për ta sulmuar.

“Si duket Opozita e re Reciprocitet Qeverisë së Re me vezë? A presim edhe aksione në Kuvend? A e zgjodhen Avdullahun si target të lehtë? Edhe pse çdo gjë që e mbjellë edhe do ta korrësh, në aksione të tilla shumë ka rëndësi se kush e bën, ndaj kujt, dhe për çfarë arsye”, ka shkruar ai.


Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dënuar sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Ajo ka thënë se tarifa nuk është çështje vezësh.

Ajo në Facebook ka shkruar se tarifa është konsensus e veprim shtetëror dhe bashkërendim me miqtë strategjik të Kosovës.

“As sulmet me vezë e as me mjete të tjera nuk do të mund ta ndalin vendosmërinë tonë që ta çojmë Kosovën përpara”, ka shkruar ajo.