Pas takimit në Mynih, presidenti Thaçi shpërthen me akuza

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka folur pas takimit të tij me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Ai në një prononcim për Televizionin Publik ka treguar se gjatë këtij takimi ka theksuar faktin që Kosova ndihet e ndëshkuar padrejtësisht nga Bashkimi Evropian për shkak të mosliberalizimit të vizave, duke thënë se Kosova nuk po kërkon dhuratë, pasi i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Ishte një mundësi e mirë që të prezantohen të arriturat e Kosovës dhe aspiratat. Në këtë takim morën pjesë edhe Borelli dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, me të cilët diskutuam për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndodhin Kosovës, por edhe tërë Ballkanit. E theksova se Kosova ndihet e ndëshkuar nga BE-ja për shkak të mosliberalizimit të vizave dhe kjo duhet të ndryshojë. BE duhet të veprojë në mënyrë unike dhe të drejtë sepse ne nuk po kërkojmë dhuratë, por i kemi plotësuar kriteret. BE po bën gabim strategjik dhe është qasje e padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës”, deklaroi presidenti Thaçi.

Reklama e sponzorizuar

Më tutje ai është shprehur se angazhimi tjetër duhet të jetë njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë, duke shtuar se Grenell i ka dhënë energji tjetër dialogut dhe ka shënuar hapat e parë.

“Angazhimi tjetër duhet të jetë drejt dialogut Kosovë – Serbi që duhet të përfundojë me njohje reciproke mes dy vendeve, natyrisht viti i kaluar ka qenë më optimist sesa ky që është dhe duhet BE të jetë unike e të përkrahet nga shtetet anëtare. Tani meqë Trump e ka emëruar Grenellin ka shënuar hapat e parë dhe BE duhet ta përcjellë këtë proces që gjatë këtij viti të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi që të hapë perspective për vendet dhe të mundësoj paqen në Ballkanin Perëndimor.”, tha Thaçi.

Në fund, ai është shprehur se marrëveshja e arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë i ndihmon investimeve ndërkombëtare në të dyja vendet.

“Kjo marërveshje është mes dy vendeve si dy shtete të pavarura dhe sovrane në interes të shteteve dhe qytetarëve, të kemi lëvizje të lire të njerëzve dhe mallrave. Kjo i ndihmon investimeve ndërkombëtare dhe këto investime duhet të përfshihen në implementimin e këtij projekti”, përfundoi Thaçi.