Hoti thotë se reciprocitet mund të ketë vetëm në koordinim me Amerikën dhe BE’në

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë intensifikuar angazhimin e tyre në negociatat Kosovë – Serbi zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria “Kurti” dialogun me Serbinë e sheh si të vetmin opsion për normalizim të marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve.

Gjatë një interviste të dhënë për “Zërin” Hoti ka pohuar se Qeveria është për zëvendësim të taksës me masën e reciprocitetit, mirëpo ka konsideruar se paraprakisht duhet të ketë koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-në e me BE-në.

Përderisa ditëve të fundit është intensifikuar angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi zëvendëskryeministri i parë i qeverisë “Kurti”, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova është pro vazhdimit të dialogut me Serbinë, pasi që kjo është forma e vetme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Reklama e sponzorizuar

Kësisoj numri dy në qeverinë “Kurti” është shprehur se për cilindo veprim karshi Serbisë institucionet kosovare duhet të konsultohen fillimisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-në) dhe me Bashkimin Evropian (BE), pasi vetëm nën aleancën e tyre mund të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.