Për 2 vjet Qeveria premton t’i bëjë qytetarët me sigurime shëndetësore

Nga qeveria “Kurti” është thënë se për dy vjet do të zbatohen sigurimet shëndetësore në vend. Për implementimin e tyre Kosova ka marrë mbështetje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani.

Ndonëse ka qenë premtim i çdo ministri të deritashëm të shëndetësisë në vend, qytetarët edhe 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë vazhdojnë të mos i kenë sigurimet shëndetësore. Realizimi i sigurimeve kishte qenë premtim i katër ministrave të kaluar të Shëndetësisë, i ish-ministrit Alush Gashi, Ferid Aganit, Imet Rrahmanit e i Uran Ismaili, por në mandatin e asnjërit nuk u zbatuan ato.

Premtimi i fundit për sigurimet shëndetësore vjen nga qeveria “Kurti”, e cila parasheh që më së fundi deri në vitin 2022 t’i funksionalizojë ato.

Reklama e sponzorizuar

Tashmë për implementimin e sigurimeve Kosova ka marrë përkrahje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani. Zyra për informim e ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë për “Zërin” se Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Gjermaninë, shkruan tutje “Zëri”.

Kujtojmë se rreth 10 milionë euro kishte ndarë qeveria e Luksemburgut për ta vënë në funksion sistemin informativ shëndetësor në Kosovë, megjithatë sipas një raporti të Auditorit, 417 mijë euro të këtij projekti kanë shkuar diku tjetër. Zyra e Auditorit para dy vjetëve gjatë auditimit kishte konstatuar mangësi në kontrollin financiar dhe në menaxhimin e kontratave nga Ministria e Shëndetësisë gjatë realizimit të tyre.