Opozita merr pjesë në seancë, nuk do ta votojë formimin e komisioneve parlamentare

Opozita e Kuvendit të Kosovës nuk do të votojë për Propozim-vendimin për formimin e komisioneve parlamentare.

Këtë e ka bërë të ditur për GazetaBlic deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, e cila tha se janë takuar edhe me partitë e tjera opozitare dhe kanë vendosur që edhe pse do të marrin pjesë në seancë, nuk do të votojnë për.

“Ka dakordim me opozitën. E shprehim qëndrimin tonë në seancë dhe votojmë kundër”, ka thënë ajo.

Reklama e sponzorizuar

Partia Demokratike e Kosovës ka bojkotuar mbledhjen e kaluar të kryesisë së Kuvendit, si pasojë e zhvendosjes së fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga ana e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani brenda zyrës së saj.

E kur ishte pyetur se a do të tërhiqet nga qëndrimi i saj në mënyrë që PDK t’i kthehet mbledhjeve, Osmani në një konferencë për media e quajti vetëm arsyetim për bojkot. Kurse, PDK-ja i ktheu përgjigje se nuk ishte bojkot ndaj Kuvendit por ndaj saj.

PDK ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e kryesisë deri sa fotografia e presidentit, Hashim Thaçi të kthehet në vendin që ka qëndruar dikur.