Ministrat e Qeverisë Haradinaj që shpenzuan më së shumti para pas dorëheqjes

Tre ish ministrat e Qeverisë Haradinaj që nuk mbahen mend për asnjë sukses në dikasteret me të cilat kanë udhëhequr, i kanë shpenzuar buxhetit të shtetit rreth 25 mijë euro për vetëm pesë muaj. Me më së shumti shpenzime prin ish Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Gjatë kësaj periudhe ai ka shpenzuar hiç më pak se 10 mijë e 544 euro, derisa më së paku shpenzime ka bërë ish-Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili ka shpenzuar vetëm 700 euro.

Rreth 160 mijë euro është shuma e parave që janë shpenzuar për udhëtime, mëditje, dreka e darka dhe karburante, që nga korriku i vitit 2019, kur qeveria Haradinaj e mori titullin e qeverisë në largim.

Ministri i cili ka shpenzuar më së shumti para brenda kësaj periudhe kohore, është ai i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Reklama e sponzorizuar

Ndonëse nuk njihet për asnjë sukses në krye të këtij dikasteri, Mustafa e ka tkurrur buxhetin e vendit për mijëra euro.

Ish Ministri Mustafa, ka shpenzuar rreth 11 mijë euro vetëm për periudhën kohore korrik-dhjetor.

Po kaq para ka shpenzuar edhe ish ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Krahasuar me datën e emërimit, jo pak para ka shpenzuar edhe ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala.

Ndonëse, Shala ishte emëruar në pozitën e ministrit vetëm dy ditë para se Ramush Haradinaj të jepte dorëheqje, ai ka shpenzuar rreth 5 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Por, ka edhe ministra që i kanë kursyer paratë e qytetarëve. Një i tillë është ish-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi. Ai ka shpenzuar vetëm 700 euro.

Ndryshe, sipas Institutit GAP, Qeveria Kurti do të kursejë rreth 13 milionë euro për një mandat, në krahasim me shpenzimet që bënte ish-qeveria e PAN-it.

Edhe pse koalicioni VV-LDK paraprakisht kishte planifikuar të kishte vetëm 12 ministri, një ditë para zyrtarizimit partitë bënë të ditur se kanë vendosur të formojnë qeverinë me 15 ministri. Teksa një qeveri me 12 ministri, vendit do t’ia kursente 15.5 milionë euro, një e tillë me 15 ia kursen vendit 13 milionë euro.

Në infografikën e re është llogaritur se Qeveria Kurti do të ketë 33 zëvendësministra, për dallim nga PAN-i që kishte më shumë se 80. Këshilltarë të lartë të ministrave do të jenë 15 nga 21 sa ishin në qeverisjen e kaluar. Në 90 nga 126 ka rënë numri i këshilltarëve të ministrave.

Duke u bazuar në shpenzimet e ish-qeverisë, me formatin e zvogëluar, për një mandat Qeveria Kurti do të kursejë 10 milionë euro në paga, 1 milion në ushqime, dhe rreth 1.5 milionë të tjera në telefona mobilë, karburante e telefona fiks.

“Bazuar në premtimet zgjedhore të VV dhe LDK, më 24 tetor 2019 Instituti GAP ka publikuar një infografikë e cila pasqyron kursimet qeveritare në rast se qeveria e re i përmbahet premtimeve për numrin e posteve ministrore. Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 nuk iu përmbajt në tërësi premtimit. Sot, Instituti GAP publikon infografikën e re lidhur me postet ministrore dhe ndryshimet nga qeveria e kaluar”, thuhet në njoftimin e GAP-it.