A ka Kosova fond emergjent?

Kosova, as në vitin 2020, s’ka fond emergjent nga i cili do të kompensoheshin qytetarët që pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore.

Hajriz Sejdiu, Drejtor i Departamentit të Gatishmërisë në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, ka folur për dëmet që kanë pësuar Istogu, Klina e Dragashi, ditëve të fundit nga erërat e forta.

Sejdiu në Express Intervistën në KTV, tha se Kosova është përballur me një fatkeqësi natyrore, që fatmirësisht, njerëzit s’kanë pësuar lëndime të mëdha.

Reklama e sponzorizuar

“Natyrisht këto erëra kanë qenë karakteristikë, sidomos për Istogun, por këtë radhë ka goditur gjysmën e Kosovës”, tha ai.

Sejdiu, tha se këto erëra vijnë kryesisht nga Kopaniku

“Është erë që zakonisht godet Istogun. Të gjitha erërat e kanë nga një emër, janë dy erëra që godasin Istogun, po këtë herë ka goditur më shumë vende”, u shpreh ai.

Sejdiu tha se kjo fortunë ishte paraprakisht e paralajmëruar. Dhe, janë gjashtë qendra që i japin këto njoftime te Kuvendet Komunale. Secila komunë, më pas harton planet emergjente, e nga aty duhet të njoftohen qytetarët.

Sejdiu tha se me ligj, Komunat obligohen të reagojnë vet në raste të tilla nga fatkeqësitë natyrore. Ai tha, se është në duar të kryetarëve. Por nëse komuna më s’ka mundësi ta menaxhojë situatën, mund të kërkojë ndihmë nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.

Derisa Istogu u përballë me erëra të forta, Dragashi u mbush me shumë borë, që bëri të ndalet edhe mësimi për disa ditë.

Sejdiu tha se Komunat e kanë obligim ligjor që të jenë të përgatitura për fatkeqësi natyrore.

“Për fatin e keq, nivelet lokale në Kosovë s’janë shumë të gatshme për raste të tilla e shpeshherë e kërkojnë ndihmën tonë”, tha ai.

Sejdiu, foli edhe për buxhetin me të cilin Qeveria e Kosovës po funksionon.

“Buxheti është çështje sensitive. Vendet e konsoliduara e kanë edhe një fond emergjent me të cilin kompensohen dëmet e qytetarëve. Kosova, nuk e ka një fond të tillë”, tha Sejdiu.

Sejdiu kujtoi gjithashtu se që nga pas lufta, Istogu ka qenë vendi që më së shumti është goditur nga erërat e fatkeqësitë natyrore.

Drejtori i kësaj Agjencie, Hajriz Sejdiu, tha se në këtë rast më së shumti është goditur energjia elektrike.

Sejdiu tha se kjo Agjenci disponon me zjarrfikësit, me diku rreth 720 njerëz në personel. Por, gjithashtu edhe me Policinë e Kosovës e Shërbimet Mjekësore. Si reagues të dytë, Sejdiu tha se është edhe FSK-ja.