Ndërhyrja e Haradinajt mund ta shtyjë anëtarësimin e AKA-së në ENQA e EQAR

Ndërhyrja e fundit e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), sipas ekspertëve të arsimit, mund të ndikojë në shtyrjen e anëtarësimit të saj në dy organizatat evropiane, Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

AKA-ja ishte anëtare e të dyja këtyre organizatave, por u përjashtua për shkak së në të ndërhynë kryeministri Haradinaj dhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi. Në shtator të vitit 2017, me kërkesë të Haradinajt, Bytyqi shkarkoi komplet Këshillin Shtetëror të Cilësisë (Bordin e Agjencisë) dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të AKA-së. Kjo bëri që ENQA dhe EQAR ta përjashtojnë Agjencinë e Akreditimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo pasi, sipas Ligjit për arsimin e lartë, Agjencia e Akreditimit është agjenci e pavarur, përgjegjëse për vlerësimin dhe promovimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Haradinajt nuk i mjaftoi ndëshkimi që ia bënë kësaj agjencie dy organizatat më të njohura evropiane si pasojë e veprimeve të tij. Më 28 janar ndërhyri sërish në Agjenci të Akreditimit, ku përmes një letre drejtuar kryetarit të Bordit, Gazmend Luboteni, dhe ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të AKA-së, Avni Gashi, kërkoi favore për kolegjet private. Kryeministri në largim, i porositi të kenë kujdes në trajtimin e kërkesave të kolegjeve. Madje u kërkoi përgjigje zyrtare rreth kësaj çështje.