Kurti: Sot institucionalizohet ndryshimi i shkaktuar nga vullneti i popullit

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, para nisjes së seancës së Kuvendit ku pritet të votohet për qeverinë që do të udhëhiqet nga ai, ka thënë se sot po institucionalizohet ndryshimi që e votuan qytetarët më 6 tetor.

Pas nisjes nga banesa e tij për në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka thënë se po materializohet vullneti i qytetarëve në zgjedhjet e para katër muajve. Ai ka thënë se do të qeverisë “mbarë e mirë me ekip shumë të mirë”.

“Kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për seancën e sotme me ç’rast synimi ynë është të zgjedhim qeveri të re e cila do të punojë mbarë e mirë sipas programit. Me ekip shumë të mirë të kabinetit. Mbi të gjitha dua t’i falënderoj qytetarët që na mundësuan ditë të tillë me të cilën duam që ndryshimin e madh politik që e bënë më 6 tetor ne si përfaqësues të tyre ta shndërrojmë edhe në ndryshim qeveritar. Ta institucionalizojmë ndryshimin e shkaktuar nga vullneti i popullit”, ka thënë ai për gazetarët para seancës së Kuvendit.

Reklama e sponzorizuar