Grupi Parlamentar i PDK’së në mënyrë të koordinuar e quajnë mashtrues Kurtin

0
75

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, që pas shumë vitesh janë kthyer në seancë të Kuvendit si opozitë, në mënyrë të koordinuar po dalin në foltore për ta quajtur mashtrues, Albin Kurtin, të mandatuarin për kryeministër, raporton Gazeta Express.

Ka disa orë që ka filluar seanca e Kuvendit ku do të bëhet votimi i qeverisë së re të Kosovës.

Mirëpo, propozimi i qeverisë së re që e bëri Albin Kurti, i mandatuar për kryeministër ende nuk ka shkuar në votim, pasi që gati të gjithë deputetët e opozitës kanë kërkuar fjalën.

Reklama e sponzorizuar

Më të zëshmit dhe të koordinuar për të përçuar një mesazh ishin ata të Partisë Demokratike, të udhëhequr nga lideri i opozitës, Kadri Veseli. Madje, derisa Kurti po propozonte kabinetin, deputetja Ganimete Musliu u përkujdes që t’ia dërgojë atij në foltore flamurin e dy shteteve, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ishte i pari, Bedri Hamza shef i deputetëve që doli në foltore për të bërë të ditur se s’ia votojnë qeverinë Albin Kurtit.

“Në dëgjuam ekspozenë nga mandatari. Nuk mund të flasim për program në detaje, derisa ta kemi. Përveç kësaj ne nuk e pamë as përbërjen e kabinetit. Partia Demokratike e Kosovës sigurisht janë të përgatitur për këtë seancë, dhe pas diskutimeve të deputetëve, PDK-ja e ka qëndrimin e vetë në raport se si do të votohet. Pa besueshmëria na bënë që të mos e votojmë qeverinë e Kurtit.

Nuk ka ekonomist që mundet me i akomodu brenda buxhetit 3 miliardë. Le të del një ekonomist brenda grupeve LDK dhe VV që mundet me i argumentua këto premtime brenda buxhetit 3 miliardë dhe unë do t’i bëj shumë pyetje vetit”, deklaroi Hamza.

I dyti nga PDK-ja foli edhe lideri i kësaj partie, që është kthyer në Kuvend të Kosovës në rolin e deputetit.

Kadri Veseli ia ka përmendur Albin Kurtit rastin e Astrit Deharit dhe tha se ai do të jap llogari për organizatën Syri i Popullit.

“Sot Kosova është i pavarur dhe sovran, shtet që t’i Albin Kurti as nuk e njeh e as nuk e ndien. Ne s’kemi qenë të përkryer por kurrë nuk i kemi ikur përgjegjësisë. Ti ke sulmuar institucionet e policët më të mirë. Ke përbuzur edhe flamurin e Kosovës. Por kur erdhi dita për pushtet e harrove edhe flamurin kombëtar, ta qiti Ganja”, tha Veseli duke u siguruar që ta quaj mashtrues shefin e LV-së.

Pas tij kanë folur edhe disa prej deputetëve të PDK-së.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se qeveria Kurti nuk ka program qeverisës, teksa ia ka kujtuar Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës kohën kur e kundërshtonin pakon e Ahtisarit.

Hoxhaj duke e quajtur mashtrues Kurtin, tha se ai duhet të bëhet burrë e të del të kërkojë falje para qytetarëve.

“Si burrë duhet të dilni dhe kërkoni falje për sjelljet politike në këto 20 vjet e fundit”, tha Hoxhaj para deputetëve.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Memli Krasniqi, u kujdes që ta quante koalicionin LV – LDK, koalicion të pazareve të pista, derisa tha se Albin Kurti e ka ndërtuar karrierën politike me mashtrime, manipulime dhe dhunë.

“Trajektorja politike e Albin Kurtit, e frymëzuar nga mësimet e kasapëve revolucionarë, jo vetëm që dhunoi kundërshtarët e tij politikë, po nuk kurseu as bashkëpunëtorët e tij të afërt, të cilët për të ishin vetëm kurbanë për arritjen e qëllimeve të tij. Ai i sakrifikoi ata edhe kur i nxori në rrugë duke i gënjyer se Kosova kurrë s’do të bëhet shtet, por edhe kur i nxiste për të sulmuar institucionet e shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Sot, pak më butë, i sakrifikon për t’u bërë kryeministër, si puna e njeriut më të afërt të tij, Kurban Konjufcës. Sepse, për Albin Kurtin, asnjë çmim nuk është i lartë, nëse atij ia mundëson kapjen e pushtetit, për të cilin ka ëndërruar e ka vepruar me metodat më të pista tash e gati 15 vjet”, tha Krasniqi.

Mashtrues Albin Kurtin e ka quajtur edhe deputetja, Blerta Deliu-Kodra teksa ka bërë të ditur se nuk do t’ia votojnë qeverinë.

“PDK nuk do ta votojë kurrë një qeveri e cila prioritet e ka pasur luftën në këtë parlament. Pengon konsolidimin e shtetit të Kosovës. Do të votoj gjithmonë për vendime të mira por nuk do ta shkel gjakun e atyre që kanë dhënë jetën për këtë vend dhe qytetarët që kanë votuar deputetët edhe për këtë mandat”, tha ajo.

Në anën tjetër, Ganimete Musliu ia ka kujtuar kohën kur sic thotë ai LV-ja nuk e pranonin flamurin e Kosovës. Koalicionin LV – LDK ajo e ka quajtur, koalicion të pabesisë.

“Ky koalicion që erdhi duke krijuar kauza vëlla vrasëse, duke organizuar organizata terroriste si Syri i Popullit. Me Flamurin e Republikës fshihu ËC-të dhe përdhosi himnin e saj kur sportistët tanë arritën ta lartësojnë edhe në Rusi, që etjen për pushtet e kanë shndërruar në pseudo kauza, duke djegur institucionet e Kosovës duke përgjakur policinë që mori jetra njerëzit dhe asnjëherë nuk kërkoi falje”, tha deputetja e PDK-së.

Mashtrues Kurtin e ka quajtur edhe ish-ministri Abelard Tahiri. Deputeti i PDK-së, ka adresuar akuza ndaj kandidatit për kryeministër, Albin Kurti për të cilin tha iu ka paraqitur popullit me premtime boshe.

“Rruga që ka ndjekur Kurti deri më tash është një rrugë mashtruese dhe refuzuese ndaj institucioneve. Kemi një kandidat për kryeministër që e mashtron masën me premtime, derisa i ka dezertuar mbështetësitë e vet me largim të parimeve”, tha ai.

Hajredin Kuçi tutje e ka pyetur Kurtin se a do të bëjë bashkimin kombëtr, Kuçi u shpreh kritikues ndaj Kurtit duke e akuzuar për mashtrim karshi qytetarëve.

Ai iu foli edhe deputetëve të LDK-së, ku tha se kjo parti duhet të dijë se nuk e ka më partner koalicioni partinë e tij, PDK-në. Derisa theksoi se gjatë mandatit opozitar, nuk do të përdorin metodat që i ka përdorur më herët Lëvizja Vetëvendosje.

Bajrush Xhemaili, deputet i PDK-së, ka thënë se nuk beson në koalicionin LDK – LV.

 “E kam të pamundur të besoj që kjo qeveri do të jetë qeveri e shpresës, e aq më pak që të përmbushë pritjet e qytetarëve, për këtë më bëjnë të dyshoj dështimet e VV dhe LDK-së. Imazhi politik i krijuar falso i juaji z.Kurti për çdo njërin e sheh se pse u çmontua për katër muaj dhe do të çmontohet deri në fund, jo vetëm si lider po edhe si VV. Ju jeni mashtrimi më i madh për qytetarët dhe zhgënjimi ma i madh, po e shoh që sot je me flatra, por koalicioni juaj do të mbetet fatkeqësisht vetëm një ëndërr në ëndrrat e elektoratit të mashtruar”, shtoi ai.

Edhe disa deputetë të PDK-së kanë folur dhe kanë kërkuar fjalën në këtë seancë të Kuvendit. Në të gjitha këto fjalime të mbajtura nga partia më e madhe opozitare, PDK është kujdesur që ta quajnë Kurtin mashtrues./Express/