Kjo është oferta e fundit e VV-së për LDK-në

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë Lidhjes Demokratike të Kosovës një ofertë të parefuzueshme.

I ka propozuar dy ministri më shumë në këmbim të kryeparlamentarit, kanë treguar burime brenda procesit për Insajderin.

Propozimi i është bërë të premten në shtëpinë e Mustafës në Prapashticë i njohur sipas epitetit të Kurtit si “Rançi i Mustafës”.

Reklama e sponzorizuar

Kjo ofertë ka tunduar krerët e LDK-së. Megjithatë, është parë se oferta nuk është mirëpritur nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu, të cilët insitojnë në pozitën e kryeparlamentarit, shkruan Insajderi.

Sipas burimeve të Insajderit krerët e LDK-së tash kanë kërkuar kohë për ta analizuar ofertën.

Mustafa dhe zyrtarë tjerë të LDK-së tashmë janë mbledhur në zyret e LDK-së. Mustafa ka konfirmuar se do të ketë takim me Albin Kurtin.

“Po besoj që takim do të ketë, orën ende nuk e kemi caktuar. Po bëjmë përpjekje gjithmonë që të arrijmë marrëveshje, jam i përkushtuar për marrëveshje. Nuk ka kuptim që të vazhdohet ndryshe, po bëjmë përpjekje”, ka thënë Mustafa.