Marrëveshje me pikëpyetje

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë kërkuar transparencë për marrëveshjen e fluturimeve direkte Prishtinë – Beograd. Qytetarët, sipas tyre, janë të painformuar rreth procesit vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe implikimet, që mund t’i sjellë ky dokument, shkruan sot gazeta Zëri.

Para pak ditësh në Berlin është nënshkruar marrëveshja për hapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd. Me ndërmjetësimin e amerikanëve delegacionet, ai nga Kosova dhe ai nga Serbia, marrëveshjen në fjalë e kanë firmosur me përfaqësuesit e kompanisë gjermane “Lufthansa”, e cila do të operojë në këtë linjë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë quajtur fitore këtë marrëveshje. Por shoqëria civile në Kosovë konsideron se ende ka shumë paqartësi sa i përket kësaj çështjeje. Përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar transparencë për marrëveshjen e fluturimeve direkte Prishtinë – Beograd. Qytetarët, sipas tyre, janë të painformuar rreth procesit vendimmarrës që i ka paraprirë arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe implikimet që ky dokument mund t’i sjellë. Marrëveshja u nënshkrua më 20 janar 2020 mes kompanisë ajrore “Lufthansa”, Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe KFOR-it. Sipas përmbajtjes së dokumentit të publikuar, kjo marrëveshje vë në pikëpyetje sovranitetin e Kosovës, duke e cilësuar Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës si Autoriteti i Aviacionit Civil në Kosovë, duke shpërfillur kësisoj emërtimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, të hënën e kësaj jave përfaqësuesit e kompanisë gjermane nënshkruan me zyrtarët nga Kosova dhe nga Serbia ndarazi dy dokumente.

SHBA-ja e quan fitore marrëveshjen, BE-ja mbështet masat që ndihmojnë në lehtësimin e lëvizjes

Reklama e sponzorizuar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka cilësuar fitore marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë sa i përket vendosjes së linjës direkte ajrore. Pa reaguar nuk ka lënë as Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila përmes një shkrimi ka thënë se presidenti Trump dhe ekipi i tij kanë punuar shumë për ta arritur këtë marrëveshje, e cila është vetëm fillimi i një të ardhme të ndritur për Kosovën dhe për Serbinë.

Edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se mbështesin çfarëdo mase që ndihmon në lehtësimin e lëvizjes mes qytetarëve të të dyja vendeve. “BE-ja mbështet të gjitha masat dhe veprimet që kontribuojnë në lehtësimin e lëvizjes dhe të komunikimit mes qytetarëve të Serbisë dhe të Kosovës. Kjo është një nga mënyrat për normalizimin e marrëdhënieve dhe për avancimin e bashkëpunimit rajonal”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të BE-së në Bruksel dhënë “Zërit”.

Lidhjet e transportit ndërmjet vendeve sipas BE-së janë të dobishme si për turizëm, ashtu edhe për kulturë e biznes.

Në anën tjetër Eset Berisha, drejtor i përgjithshëm i Aviacionit Civil, ka thënë se Kosova përfiton shumë nga një marrëveshje e tillë. Përfitimi i Kosovës sipas tij është normalizimi i pjesshëm i hapësirës ajrore në drejtim të hapjes së korridoreve ajrore me shtetet fqinje. “Korridoret ajrore, të cilat i ka momentalisht hapësira ajrore e Republikës së Kosovës, kanë qenë vetëm përmes Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndërsa me këtë hap mundësohet hapja e korridoreve të tjera në drejtim të shteteve të tjera, siç është Republika e Serbisë, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Shqipërisë”, është shprehur Berisha.

Ndërkohë në marrëveshjen e publikuar thuhet se udhëtimi Prishtinë – Beograd do të realizohet në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel, e njohur si IBM, e cila siguron lëvizjen vetëm me letërnjoftime. “Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes dhe Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, të arritura gjatë dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, do të zbatohen për pasagjerët, për postën dhe për mallrat që transportohen përmes kësaj linje ajrore”, theksohet në dokument.

Republika e Serbisë ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, së këndejmi nuk i njeh as pasaportat e lëshuara nga institucionet e Kosovës.

Haradinaj: Në të ardhmen mund të njihen pasaportat e Kosovës

Marrëveshjen e nënshkruar më 20 janar të këtij viti e ka mbështetur edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj. Krijimi i linjës ajrore Prishtinë – Beograd sipas tij nuk paraqet kthim prapa as në sovranitet e as në shtetësi të Kosovës. “Arritja e marrëveshjes për fluturim direkt nga Beogradi në Prishtinë nuk ndryshon në statusin tonë, në sovranitetin tonë, në atë çka jemi. Hapësirën tonë ajrore ende ne nuk e kemi në zotësi, e ka NATO-ja. Në momentin e arritjes së marrëveshjes me NATO-n kalon te ne, ende s’ka kaluar për shkaqe të sigurisë. Është më mirë që tash NATO-ja e ka nën menaxhim. S’është kthim prapa as në sovranitet, as në shtetësi”, ka deklaruar ai.

Një gjë e tillë sipas Haradinajt paraqet hap para për Kosovën, assesi mbrapa.

Kryeministri në detyrë tutje ka thënë se nuk është koha për të shpallur fitore, por mund të ketë edhe njohje të pasaportës së Kosovës nga ana e Serbisë. “Është herët të shpallim fitore të caktuar, por në të ardhmen mund të gjendet një zgjidhje sikur me vendet e tjera që s’e kanë njohur Kosovën. Mund të njihen dokumentet e Kosovës, në këtë rast e pasaportës. Është herët të diskutohet për këto modalitete”, ka potencuar ai.

Pa përshëndetur këtë vendim nuk ka lënë as presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili ka thënë se kjo ngjarje shënon një hap tjetër në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. “Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë shpreh mirënjohjen e thellë për ambasadorin e SHBA-së në Berlin Richard Grenell, si dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare të presidentit Trump Robert O’Brien për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave në të ardhmen”, është shprehur ai pak pas arritjes së marrëveshjes.

Shoqëria civile kërkon transparencë

Nga shoqëria civile kanë konsideruar se rihapja e linjës direkte të fluturimeve Prishtinë – Beograd pas dy dekadave p dyshim paraqet një hap pozitiv, sepse lehtëson lëvizjen e lirë për qytetarët, për diasporën dhe për biznesmenët. Por, sipas tyre shumë pyetje ende mbeten të paadresuara. Sipas Visar Xhambazit, nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), është me rëndësi të adresohet pyetja se a do të hapet hapësira ajrore për të gjitha fluturimet ose marrëveshja në fjalë përfshin vetëm fluturimet direkte. Gjithashtu, nëse marrëveshja përfshin vetëm kontrollin e letërnjoftimeve, atëherë një gjë e tillë sipas tij nënkupton që Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë përbërëse të saj. “Në udhëtime ndërkombëtare përdoren pasaportat. Nëse marrëveshja në fjalë përfshin vetëm kontrollin e letërnjoftimeve, atëherë kjo presupozon që Serbia ende e konsideron Kosovën si pjesë përbërëse të saj. Gjithashtu duhet të dihet nëse fluturimet që kanë për destinacion Kosovën do të lejohen të kalojnë përmes hapësirës ajrore të Serbisë. Nëse po, atëherë kjo do ta ulë distancën kohore, si dhe koston e fluturimeve”, ka nënvizuar ai.

Por kjo iniciativë sipas Xhambazit duhet të shihet përtej prizmit ekonomik, si hap pozitiv drejt rifillimit të negociatave Kosovë – Serbi, të cilat kanë stagnuar për më shumë se një vit. “Më e rëndësishmja, ky veprim tregon seriozitetin e SHBA-së për t’u angazhuar direkt në dialog, gjë që mund të shihet si avantazh politik për Kosovën”, ka theksuar ai për “Zërin”.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), me ç’rast ka kërkuar transparencë për marrëveshjen e fluturimeve direkte Prishtinë – Beograd. “Deri më tani autoritetet kosovare kanë dhënë informacione të kufizuara lidhur me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje”, thuhet në reagimin e KDI-së. Qytetarët sipas kësaj organizate janë të painformuar rreth procesit vendimmarrës, që i ka paraprirë arritjes së marrëveshjes në fjalë. “Për më tepër, publiku nuk ka informacion për implikimet që kjo marrëveshje mund t’i sjellë, për shembull me çfarë dokumente udhëtimi do të mundësohet udhëtimi i qytetarëve në mes të këtyre dy kryeqyteteve dhe çështje të tjera që vijnë nga kjo marrëveshje”, thuhet tutje në reagimin e Institutit Demokratik të Kosovës.

Sidoqoftë, duke vlerësuar angazhimin e vazhdueshëm dhe përfshirjen direkte të SHBA-së në procesin e dialogut, KDI-ja përmes reagimit u ka bërë thirrje autoriteteve të Republikës së Kosovës që të përkushtohen për transparencë dhe për llogaridhënie si parakusht për rritjen e besimit të publikut në procesin e normalizimit.

LDK-ja mbështet marrëveshjen, LVV-ja ende pa qëndrim

Marrëveshjen për hapjen e linjës direkte ajrore mes Prishtinës e Beogradit e ka mbështetur Lidhja Demokratike e Kosovës. Nënkryetari i këtij subjekti Agim Veliu ka thënë se çdo lëvizje që çon drejt normalizimit të raporteve me shtetet fqinje është për t’u vlerësuar. “Çdo lëvizje pozitive që çon kah normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët ne e vlerësojmë si pozitive dhe sigurisht se Lidhja Demokratike e Kosovës kontribuon në këto çështje”, është shprehur Veliu.

Ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk janë pozicionuar rreth kësaj marrëveshjeje. Nga zyra për informim e këtij subjekti i kanë thënë gazetës se LVV-ja është duke e diskutuar këtë çështje dhe në momentin që do të ketë një qëndrim do ta bëjë publik.

Pavarësisht kësaj, kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka deklaruar tashmë se ky subjekt e mbështet marrëveshjen për hapjen e linjës ajrore. “I jemi mirënjohës presidentit Trump për vëmendjen dhe për kujdesin e vazhdueshëm që ai tregon ndaj Kosovës. Ne e dimë se jemi në rrugën e duhur në çdo proces kur kemi mbështetjen e SHBA-së”, është shprehur Veseli.