“Bentley” luksoz që e importoi Morena Taraku, i rikthehet pronarit në Gjermani

Vetura e tipit “Bentley” të cilën e importoi në Kosovë rreth tre muaj më parë këngëtarja Morena Taraku, i është rikthyer sërish pronarit të mëhershëm në Gjermani.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara, në një konfirmim për Gazetën Online Insajderi.

“Është e vërtetë që ka qenë tek ne për disa ditë. Ne një urdhër e kemi pasur për ta marrë në administrim, ndërsa tjetrin [urdhër] e kemi pasur që brenda javës ta kthejmë veturën. Me vendim të Gjykatës, vetura i është kthyer pronarit në Gjermani. Ka ardhur pronari e ka marrë”, thuhet në një përgjigje të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara.

Reklama e sponzorizuar

“Urdhri fillestar ka qenë që Agjencia ta marrë në administrim veturën. Për shënesa të sakta mund t’i drejtoheni gjyqtarit përkatës”, ka thënë një zyrtar i kësaj agjencie, për Insajderin.

Taraku importoi veturën në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur shkaktoi skandal me tentimin e saj për t’iu shmangur tatimit në Doganën e Kosovës.

Dogana vlerësoi se Taraku tentoi t’i shmangej pagesës së taksës doganore në vlerë prej 14 mijë e 118 euro.

Këngëtarja e kishte deklaruar si të re veturën e tipit “Bentley” në vlerë prej 235 mijë euro. Megjithatë, institucionet konstatuan se vetura në fjalë kishte 2,194 kilometra të kaluara dhe kishte regjistrim të rregullt në Gjermani të bërë me datën 22.07.2019, prandaj për zhdoganimin e saj duhej të paguhej edhe tarifa doganore.

Si pasojë e shmangies nga tatimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë hapi rast ndaj këngëtares dhe ia sekuestroi asaj veturën “Bentley”.

Ndonëse Prokuroria e mbylli rastin ndaj Tarakut disa javë më pas, vetura e konfiskuar u administrua nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara.

Insajderi i ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me veturën, por nuk ka marrë ende përgjigje nga Prokuroria.