Haradinaj gjen kohë edhe për të emëruar një ministre të re

Magbule Shkodra është emëruar ministre në detyrë e Zhvillimit Rajonal, pasi ministri i deritashëm, Rasim Demiri është betuar si deputet i legjislaturës së re dhe nuk ushtronte më këtë funksion, shkruan Gazeta Express.

Haradinaj këtë vendim e ka marrë sot në mbledhjen e qeverisë në detyrë.

“Znj. Magbule Shkodra, emërohet ministre në detyrë e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal”, thuhet në vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Magbule Shkodra është anëtare e AAK-së dhe kryetare e Aleancës së Gruas në këtë parti, e cila në zgjedhjet e gjashtë tetorit kishte garuar në listën e koalicionit AAK-PSD.

Shkodra në listë kishte numrin 3, menjëherë pas Ramush Haradinajt dhe Visar Ymerit.

Ajo kishte arritur të marrë gjithsej 3890 vota, vota këto të pamjaftueshme për të fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë ditës, Haradinaj ka emëruar edhe Lulzim Rafunën si ministër të Financave.