Udhëheqësit e Akreditimit mohojnë se procesi i akreditimit të kolegjeve është i manipuluar

Kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Gazmend Luboteni, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj agjencie, Avni Gashi, e kanë mohuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të ketë pasur manipulime në akreditimin e programeve të disa kolegjeve.

Sipas tyre, në mbledhjen e së enjtes dhe të premtes nuk kanë pasur ndikime nga askush në marrjen e vendimeve për institucionet private të arsimit të lartë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gazeta ka raportuar të hënën për dyshimet e ngritura të 3 anëtarëve të Këshillit, Dukagjin Zeka, Rozafa Koliqi dhe Arta Jakupi, si dhe të organizatës ORCA për manipulim të procesit. Tre anëtarët kanë thënë se e kanë lëshuar mbledhjen kur u diskutua pika e 3-të për raportet e vlerësimit për programet e kolegjit “Rezonanca”, programet e kolegjit “Heimerer” dhe të Kolegjit ISPE.

Reklama e sponzorizuar

Me Udhëzimin Administrativ për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, Agjencia ka një vit kohë për trajtimin e aplikacioneve prej datës së pranimit të kërkesës për akreditim, ndërkaq, sipas tre anëtarëve të Këshillit, në këtë rast kjo u bë në afat rekord. Kanë vërejtje, po ashtu, edhe për mënyrën e përzgjedhjes së ekspertëve që e bëjnë vlerësimin e programeve studimore të institucioneve të arsimit të lartë.