Kryediplomati i BE’së, spanjolli Josep Borell javën e ardhshme në Prishtinë

Evropianët duke se janë zënë në befasi nga depërtimi serioz i amerikanëve të cilët arritën t’i bindin Kosovën e Serbinë për vendosjen e një linje ajrore Prishtinë -Beograd. Borell i cili ka shtyrë vazhdimisht vizitat, do të vijë përfundimisht javën e ardhshme. Sipas të gjitha gjasave ai do të shkojë edhe në Beograd por nuk dihet se ku do të aterojë së pari.

Kosova vazhdon që të jetë pa institucione që nga korriku i vitit të kaluar, kohë kur kryeministri Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje për shkak të ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale.

Ndërkohë kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit në Prishtinë ende nuk ka institucione të reja. Një situatë e tillë ka bllokuar edhe përpjekjet për rinisjen e dialogut.

Reklama e sponzorizuar

Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politike të Jashtme, Josep Borell, vazhdimisht kishte paralajmëruar se do të vizitonte Kosovën, duke qenë se Ballkani Perëndimor do të jetë lartë në agjendën e tij, megjithatë një vizitë të tij në Prishtinë po e pamundësonte fakti që Kosova ende s’ka qeveri të re.

Megjithatë sipas burimeve të Gazetës Express, Josep Borell, do të vizitojë Prishtinën gjatë javës së ardhshme.

Kjo vizitë e Borell në Kosovë vjen në kohën kur përpjekjeve të LDK’së dhe Vetëvendosjes për krijimin e qeverisë së re u është vendosur edhe një afat kohor, pasi që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka dekretuar Albin Kurti si mandatar për të krijuar qeverinë e re. E duket se Bashkimi Evropian nuk do ta humb edhe hapin për dialogun Kosovë – Serbi sidomos tash kur emisari i i Presidentit Donald Trump bëri një depërtim serioz duke i bindur Kosovën e Serbinë për një linjë ajrore ndërmjet dy kryeqyteteve.