Procesi i kredisë në vlerë prej 22 milionë eurosh për ujërat e zeza në Gjilan ka mbetur pezull

Ministria e Financave nuk ka arritur ta përmbyllë procesin e marrjes së huas nga organizatat ndërkombëtare financiare në vlerë prej 22 milionë eurosh, mjete të cilat nevojiten për investime për trajtimin e  ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit.  

Ajo çfarë është arritur është sigurimi i huas në vlerë prej 10 milion eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), mjete të cilat nuk mund të përdoren, ngase marrëveshja ende nuk është proceduar për miratim në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq Ministria është duke kërkuar 10 milionë euro hua nga Banka Investive Evropiane dhe 2 milionë euro e gjysmë të cilat pohon se do t’i sigurojë në formë granti. 

Reklama e sponzorizuar

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, deklaron se procesi i sigurimit të huas për investimet në ujërat e zeza për Gjilanin duhet të përmbyllet nga Qeveria e re.  

“Me BERZH-in është kontrata e nënshkruar, por duhet të ratifikohet në Kuvend dhe shuma është 10 milionë euro. Ka edhe negocim të përfunduar, mirëpo ende nuk është nënshkruar kontrata me Bankën Investive Evropiane edhe për 10 milionë euro të tjera. Dhe 2 milionë euro e gjysmë është grant, mirëpo grantet nuk kanë nevojë që të ratifikohen, por ato nënshkruhen nga presidenti. 

Projektligji është, vetëm duhet të ratifikohet në Parlament dhe me Bankën Investive Evropiane kanë filluar bisedat dhe pritet nënshkrimi i kontratës dhe ratifikimi në Kuvend. Shuma e projektit  është 22 milionë e 500 mijë euro”, ka thënë ai.