Komunat paguan mbi 12 milionë euro për vendime gjyqësore

Lëvizja “Fol” ka prezantuar gjetjet nga monitorimi i shumave të paguara nga komunat që dalin nga vendimet gjyqësore. Komuna e Leposaviqit po del të jetë komuna me më së shumti pagesa për vendimet gjyqësore gjatë periudhës Janar- tetor 2019.

Elbasan Rracaj nga “Lëvizja Fol” ka thënë se bazuar në buxhetin komunal, Leposaviqi ka paguar më së shumti për konteste gjyqësore.Ai ka thënë se nga këto pagesa në 32 komuna janë shpenzuar mbi 12 milionë euro.

“Leposaviqi ka shpenzuar mbi 1 milion euro si rezultat i vendimeve gjyqësore në periudhën janar-tetor te 2019. Ferizaj ka paguar mbi 3 milionë euro. Mitrovica e Jugut ka paguar mbi 1 milionë euro, Deçani, Gllogoci dhe Kllokoti”.

Reklama e sponzorizuar

“Ndërsa komunat më së paku që kanë paguar në këtë drejtim janë Shtërpca, Ranillugu, Obiliqi, Dragashi, Hani i Elezit dhe Graçanica”, ka thënë ai.

Në këto gjetje nuk janë komunat më të mëdha të vendit, siç janë Prishtinë, Prizreni, Peja etj, ku sipas Rracajt edhe këto komuna kanë shpenzuar në këtë drejtim.

Sa i përket vitit 2018 shuma e paguar nga komunat për vendimet gjyqësore kanë qenë rreth 16,360,705.42€ apo 3.28% të buxheteve të tyre.

Ndërkaq për vitin 2017 komunat kanë paguar shumën prej rreth 8,142,310.0€ apo mesataren prej 1.81% të buxheteve.Sipasj Racajt, sfida kryesore, në mbledhjen e këtyre të dhënave ka qenë gjetja e të njëjtave në raportet financiare të komunave.

Një pjesë e komunave nuk publikojnë raporte financiare, kurse një pjesë tjetër e komunave raportet financiare i publikojnë në formate të ndryshme dhe vështirë të lexueshme nga publiku.Lëvizja FOL, në kuadër të mbledhjes së këtyre të dhënave, ka shfrytëzuar raportet financiare të komunave, të dhënat e ofruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit./EO/