51 përqind e shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë janë të pakënaqur nga puna e tyre

Sipas një sondazhi të fundit mbi nivelin e kënaqësisë dhe angazhimit në punë, 51 përqind shqiptarë (në Shqipëri dhe Kosovë) janë të pakënaqur nga puna e tyre, 9 përqind shumë të pakënaqur, 32 përqind të kënaqur dhe 8 përqind shumë të kënaqur.

Anketa u bë e mundur nga EP & Partners Consultancy shpk (EPPC) me pjesëmarrjen e qytetarëve që kanë aktualisht një pozicion pune në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kështu, në Shqipëri dhe Kosovë, kjo shifër ka një rënie krahasuar me sondazhin e dy viteve më parë ku pakënaqësia ishte në nivelin 64 % në të dy vendet.

Reklama e sponzorizuar

Erald Pashaj, nga EPPC shpjegon se çdo pjesëmarrës iu përgjigj 19 pyetjeve gjithsej, nga të cilat 8 kishin të bënin me të dhëna klasifikuese dhe 11 me perceptimin e të anketuarve mbi punën.

Pyetjet e lidhura me punën, ishin një test për të kuptuar sa ndjehen komodë dhe sa të angazhuar janë me institucionin apo kompaninë që ata punojnë.

Pjesëmarrësit në sondazhin e realizuar në Shqipëri dhe Kosovë, u pyetën se sa të kënaqur ishin nga puna aktuale dhe sa mundësi kishte që brenda një viti të kërkonin punë diku tjetër.

Erald Pashaj, administrator dhe themelues i EPPC, tha: “Sikurse tregohet edhe në grafikët e detajuar, kënaqësia është më e lartë mes punonjësve me paga të mesme e të larta, punonjësve me përvojë dhe atyre që banojnë në Kosovë.

Kurse pakënaqësia është më e lartë mes punonjësve me paga të ulëta, të punësuarit me kohë të pjesshme dhe kryesisht grupmoshës 30 – 39 vjec.

Z. Pashaj evidenton edhe faktin se 57% e shohin si të mundur të ndërrojnë punë në vitin e ardhshëm, kryesisht për një pagë më të lartë, mundësi karriere, vlerësim dhe një punë më të mirë dhe më pak stresuese. Mes arsyeve të kërkimit të një pune të re, balanca punë-jetë private ka rritjen më të madhe në krahasim me sondazhin e kryer dy vite më parë. Kjo tregon fokusin në rritje të shqiptarëve për aktivitete jashtë pune dhe fokus në familje, sikurse edhe trendi global.

Nga 12 arsyet e ofruara për të kuptuar çfarë i shtyn të anketuarit që të kërkojnë punë të re, edhe këtë vit rezultoi se paga është faktori më i rëndësishëm.

Nga të dhënat rezultoi se ka një hendek të thellë midis rëndësisë që i japin punonjësit faktorëve të ndryshëm dhe nivelin të kënaqësisë me këta faktorë në punën aktuale. Kjo shpjegon edhe nivelin e lartë të pakënaqësisë me punën në tërësi, në vlerën 60% në 2019 – tha Z.Pashaj.
“Vlerësimi për punën që bëj” së bashku me “Paga” kanë hendekun më të madh mes rëndësisë dhe kënaqësisë në nivelin 62%, ndjekur nga “Respektimi i punonjësve në çdo nivel” (59%). – vazhdoi ai.

Risi për këtë vit ishte matja e nivelit të angazhimit që punonjësit kanë me punën në të dyja vendet. Pjesëmarrësit u pyetën se sa të angazhuar ndihen ata me punën, karrierën, kolegët, eprorët, ku rezultoi se vetëm 39.5 % e punonjësve në Shqipëri dhe Kosovë ndjehen të angazhuar në punë. Angazhimi në punë ka vlera nën mesatare për të gjithë faktorët e matur, pasi pjesa më e madhe e punonjësve ndjehen të pavlerësuar për punën që kryejnë, pa mundësi për rritje profesionale dhe karrierë, si edhe me besim të ulët tek kolegët dhe veçanërisht eprorët.

Gjithashtu, dukuri serioze që u vu re në sondazh ishte puna gjatë fundjavës / festave zyrtare. Konkretisht 72% e punonjësve të punësuar në kompani private deklarojnë se punojnë në fundjavë dhe/ose gjatë festave zyrtare. Ndër ta 24% deklarojnë që ndodh gjithmonë, 17% shpesh dhe 31% ndonjëherë. Në institucione publike ndodh më rrallë, konkretisht në 55% të rasteve dhe në vetëm 5% të rasteve, gjithmonë. /Monitor.al/