MMPH-ja mohon se ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë në kundërshtim me ligjin për rastin e Badocit

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një komunikate për media thotë se nuk ka obliguar Komunën e Prishtinës të veprojë në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për ndërtimet e planifikuara afër Liqenit të Badocit.

MMPH-ja thotë se i ka kërkuar Komunës të veprojë sipas Planit Zhvillimor Komunal, transmeton Koha.net.

Tutje MMPH-ja thotë se ka angazhuar inspektorët e saj të vizitojnë Komunën e Prishtinës dhe të verifikojnë dokumentet e lëshuara lidhur me rastin në fjalë dhe t’iu bëjnë me dije se në çfarëdo rasti të kenë shkelje eventuale, do të ndërmerren masa meritore.

Reklama e sponzorizuar

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e MMPH-së:

MMPH rreth vendimit nr. A-242/18, dt.16.08.2018 dhe A-76/19dt.27.06.2019 të lëshuar, lidhur me Ndërtimet afër Liqenit të Badocit sqaron opinionin se:

Në asnjë mënyrë MMPH në Vendimin e evidentuar për shqyrtimin e çështjes administrative juridike sipas të ankimuarit, nuk ka obliguar Komunën e Prishtinës, të veproj në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, por përkundrazi, bazuar në këto Vendime, MMPH ka obliguar Komunën e Prishtinës që të veprojë sipas:

Planit Zhvillimor Komunal i cili është në fuqi;

Vendimit të Qeverise se Kosovës Nr. 16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave Mbrojtëse te burimit Ujor përreth Liqenit të Badocit;

Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe

Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017 Për Përcaktimin e Procedurave për Përgatitjen dhe Shqyrtimin e Kërkesave për Kushtet Ndërtimore dhe Lejen Ndërtimore dhe Leje rrënimi për Kategorinë e I dhe te II të ndërtimeve.

Këto dispozita ligjore përcaktojnë kriteret dhe mënyrën e shqyrtimit të kushteve ndërtimore me ç ‘rast Komuna ka qenë e obliguar që të veproj sipas dispozitave ligjore në fuqi si:

Vendimit të Qeverise së Kosovës Nr.16/127 dt. 24 02 2013 i për Përcaktimin e Zonave Mbrojtëse të Burimit Ujor përreth Liqenit të Badocit (nenit 7 dhe nenit 13 pika 8 dhe 9).

Ligjit Nr. 04/L-110 për Ndërtim dhe Udhëzimit Administrativ MMPH 06/2017 Për Përcaktimin e Procedurave për përgatitjen dhe shqyrtimin e kërkesave për kushtet ndërtimore dhe lejen ndërtimore dhe leje rrënimi për Kategorinë e I dhe të II të ndërtimeve (nenit 11 paragrafi 1 shtojca 1 pika 6b).

Për më tepër MMPH gjegjësisht ministri Matoshi me datë 13.01.2020 i dërgon shkresë komunës së Prishtinës përkatësisht Kërkesë për informim (Nr.110/20) lidhur me rastin në fjale me të cilën kërkon sqarim rreth shqetësimit të qytetareve dhe mediave lidhur me iniciativën e projektit i cili synon ndërtimin afër liqenit të Badocit nga investitorët KAWA GROUP, 4M Group si dhe një pronari privat.

Komuna akoma nuk ka kthyer përgjigje, andaj MMPH-ja sot ka angazhuar inspektoret e saj të vizitojnë Komunën e Prishtinës dhe të verifikojnë dokumentet e lëshuara lidhur me rastin në fjalë dhe t’ju bëjnë me dije se në çfarëdo rasti të kenë shkelje eventuale, do të ndermirën masa meritore.