Dyfishohet përpunimi i mallrave nga Porti i Durrësit drejt Kosovës

Porti i Durrësit është kryesori në Adriatik ku operon biznesi i Kosovës. Bizneset e Kosovës kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në Portin detar të Durrësit përmes lëvizjes së mallrave transit nga ky port, duke zënë 10 për qind të vëllimit të përgjithshëm të import-eksportit, shkruan sot Koha Ditore.

Përpunimi i mallrave transit me destinacion Kosovën gjatë vitit 2019 është rritur me 110,6 % krahasuar me vitin paraardhës. Gjatë vitit që lamë pas, në “kalatat” e portit më të madh të Shqipërisë janë përpunuar 31 anije me afro 106 mijë tonë mallra, të cilat janë nisur më pas drejt Kosovës.

Sipas Autoritetit Portual – Durrës, gjatë vitit 2018 në Portin e Durrësit janë përpunuar vetëm 14 anije me 50 mijë tonë mallra. Nga Durrësi drejt Kosovës janë nisur mallra të ndryshme transit, kryesisht materiale ndërtimi, si llamarinë (36.803 ton), hekur (32.162 ton), xhama (13.380 ton), gjithashtu dhe grurë, çimento, melaminë apo plehra kimikë, me destinacion Kosovën.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, anije të specializuara ngarkohen në Portin e Durrësit me mineral zinku, që vjen nga “Trepça” në Durrës për të vijuar drejt porteve të vendeve perëndimore. Më 15 janar të vitit 2019 është çelur në Portin e Durrësit Zyra doganore e Kosovës, ndërkohë që një zyrë e tillë është hapur edhe në Porto Romano që shërben për karburantet.