Borxh 46-milionësh i konsumatorëve ndaj KRU “Prishtina”

Borxh të madh kanë konsumatorët ndaj Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”. Shifrat kanë shkuar gati në 50 milionë euro. Zyrtarët e ujësjellësit thonë se shumë konsumatorë janë shkyçur nga rrjeti e më shumë se 700 janë çuar në procedurë të përmbarimit.

Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Ilir Avdullahu, thotë se kjo e fundit ka sjellë më shumë rezultat. Sipas tij, disa konsumatorëve u janë bërë edhe kallëzime penale për shkak të lidhjes ilegale në rrjetin e ujësjellësit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Në nivel të ndërmarrjes borxhi i konsumatorëve arrin vlerën prej rreth 46 milionë eurosh. Të dhënat për komuna veç e veç ende nuk janë përpunuar dhe një statistikë të tillë do ta kemi të gatshme me përmbylljen e raporteve financiare për vitin 2019”, ka thënë Ilir Avdullahu.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë vitit 2019 kjo kompani për shkak të borxheve të papaguara ka shkyçur (bllokim të valvuleve) nga rrjeti 503 konsumatorë në Komunën e Prishtinës, 142 në Podujevë, 130 në Fushë-Kosovë, 63 në Graçanicë dhe 12 në Obiliq. Megjithatë, Avdullahu thotë se shkyçja sjellë rezultat vetëm në zonat urbane.