Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit s`ka pranuar kërkesë zyrtare për projektin në Badoc

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, nëpërmjet një sqarimi ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare apo kërkesë për verifikimin e vendndodhjes së lokacionit të supozuar, ku është thënë se kompania ndërtimore KAWA me partnerë parasheh realizimin e një projekti ndërtimor.

“Sikurse është bërë e ditur edhe më herët Liqeni i Badovcit është i mbrojtur me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës (Nr. 16/127, datë 24.04.2013) për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor-sipërfaqësor Akumulacioni i Badovcit”, ka sqaruar AAMK-ja.

Sipas sqarimit të këtij Agjencioni, nga diskutimet e deritanishme është supozuar po ashtu se zona e planifikuar mund të shtrihet edhe në zonën e zgjeruar të propozuar për mbrojtje të Parkut të Gërmisë apo edhe në zona tjera të mbrojtura të natyrës në këtë hapësirë.

Reklama e sponzorizuar

“Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, AMMK ju prezanton hartën e shtrirjes së të gjitha zonave të përmendura më lartë, dhe ata që e dinë lokacionin potencial të ndërtimit të kompleksit të objekteve mund të vlerësojnë ndërlidhjen dhe ndikimet potenciale të projektit në këto zona”, thuhet në sqarimin e AMMK-së.

Ky Agjencion ka bërë të ditur se për çfarëdo projekti që është në kundërshtim me shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore pa marrë parasysh qëllimin duhet t’i nënshtrohet procesit të marrjes së pëlqimeve dhe lejeve paraprake dhe respektimit të dispozitave që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligji për Mbrojtjen e Ujërave, Ligji për Mbrojtjen e Natyrës, Ligji për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, Ligji për Planifikim Hapësinor si dhe Planet përkatëse në nivel qendror dhe lokal që rregullojnë shfrytëzimin e hapësirave të caktuara.