Në Bajgorë prodhohen 105 megavate rrymë nga era, në Qyqavicë 100 megavate

Derisa për infrastrukturën rrugore dhe publike në Bajgorë “SOWI Kosova”, e cila është duke realizuar tri projekte të parqeve energjetike, do të investojë qindra miliona euro, për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Qyqavicë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka dhënë 300 mijë euro, ndërsa marrin pjesë edhe dy komunat e Drenicës, Skenderaj e Drenasi, me nga 20 mijë euro, shkruan sot gazeta Zëri.

Edhe qindra miliona euro të tjera do t’i investojë partneri i parë strategjik i Kosovës “SOWI Kosova” në Bajgorë të Mitrovicës për të mundësuar zbatimin e projekteve energjetike nga era, që janë duke u realizuar në këtë fshat të Mitrovicës. Pak para ndërrimit të motmoteve i pari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi me investitorin e parë strategjik të Kosovës, ndërmarrjen “SOWI Kosova”, që është duke zhvilluar tri projekte, parqet e prodhimit të energjisë elektrike nga era në rajonin e Bajgorës së Mitrovicës.